Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaUKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

KIEV, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Protestat kundër vendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vazhduan sot për të tretën ditë radhazi në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, shumë protestues po kërkojnë gjithashtu largimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrsky, i cili konsiderohet pjesë e një brezi më të vjetër të drejtuesve ushtarakë dhe shihet si pengesë për reformat.

Në kuadër të një riorganizimi të gjerë qeveritar, presidenti Zelensky largoi nga kabineti kryeministren Julia Svyrydenko dhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte mbajtur detyrën vetëm për gjashtë muaj.

Fedorov, 35 vjeç, konsiderohet një reformator që modernizoi sistemin e prokurimeve të ushtrisë dhe u angazhua fuqishëm për dixhitalizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura ukrainase.

Megjithatë, ai kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me komandantin Syrsky.

Në fund, Zelensky vendosi të mbështesë Syrskyn dhe synon të emërojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Yevchen Khmara, drejtuesin në detyrë të shërbimit të inteligjencës SBU.

Ky është ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, i cili ishte përfolur si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, do të emërohet sekretar i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detyrë e mbante deri tani ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili për një periudhë të gjatë udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për përfundimin e luftës.

Në ndryshimet e tjera qeveritare, Zelensky i ofroi Taras Kachka, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian, postin e drejtuesit të misionit të Ukrainës pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Parlamenti ukrainas konfirmoi dje Sergii Koretskyi si kryeministër të ri të vendit.

Ish-drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz” mori 289 vota, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e nevojshme prej 226 votash./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

Lini një koment