Vajza e gruas nga Michigan e zhdukur në Bahamas nuk bindet nga shpjegimi i njerkut: “Gjërat nuk përputhen”
Rasti i zhdukjes së Lynette Hooker, një grua nga Michigan që humbi gjurmët gjatë pushimeve në Bahamas, po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, ndërsa vajza e saj shpreh hapur dyshime mbi versionin e ngjarjes të dhënë nga njerku.
Karlie Aylesworth, vajza e të zhdukurës, deklaroi për mediat se shumë elementë të historisë nuk përputhen dhe lënë vend për pikëpyetje serioze. Ajo kishte folur me nënën e saj vetëm një ditë para zhdukjes dhe, sipas saj, gjithçka dukej normale.
“E di që nëna ime është në formë të mirë fizike dhe është një notare e mirë. Pse nuk u kthye te varka? Pse do të notonte drejt tokës?” – shprehet Aylesworth, duke vënë në dyshim versionin e dhënë për incidentin në det.
Ndërkohë, çështja ka marrë një kthesë të fortë pasi bashkëshorti i Lynette Hooker, dhe njëkohësisht njerku i Karlie-t, është arrestuar në lidhje me këtë rast. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi arsyet e arrestimit, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Sipas vajzës, edhe pse çifti kishte mbi 20 vite martesë, kohët e fundit kishin pasur tensione në marrëdhënie. Megjithatë, ajo shprehet e ndarë mes dyshimit dhe shpresës.
“Shpresoj që të mos jesh ti. Shpresoj të ketë qenë thjesht një aksident i çuditshëm,” tha ajo duke iu referuar njerkut të saj. “Nuk dua ta besoj që Brian mund të bënte diçka të tillë. Është shumë e dhimbshme, sepse të dy kanë qenë ndër njerëzit më të rëndësishëm për mua. Tani, në një farë mënyre, të dy janë të humbur.”
Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Lynette Hooker vazhdojnë, ndërsa rasti mbetet i mbuluar nga misteri dhe pritja për përgjigje që ende nuk kanë ardhur.