“Valsi i lumturisë” i Ylljet Aliçkës fiton çmimin ndërkombëtar “Letteratura dal fronte” në Itali
Romani “Valsi i lumturisë” (“Un sogno italiano”) i shkrimtarit Ylljet Aliçka ka fituar Çmimin e parë Ndërkombëtar, “Letteratura dal fronte“, në edicionin e 23-të të tij.
Ky çmim është themeluar nga qyteti martir i Cassinos, në Itali, dhe i dedikohet asaj letërsie europiane që “dëshmon krizën njerëzore për ndërtimin e paqes”.
Në shortlistën e këtij viti, dedikuar letërsisë shqiptare, një juri prej 200 studentësh të letërsisë së Universitetit të Triestes dhe atij të Cassinos përzgjodhën 4 romane të botuara në Itali: “Libero” – Lea Ypi, “Il paese dove non si muore mai” – Ornela Vorpsi, “Aquila nera” – Anita Likmeta dhe “Il sogno italiano” – Ylljet Aliçka.
Ceremonia zyrtare e dhënies së çmimit për shkrimtarin Ylljet Aliçka do të organizohet më 3 tetor në qytetin e Cassinos.
Më parë këtë çmim e kanë marrë nobelisti hungarez Imre Kertesz me romanin “Essere senza destino“, kroati Miljenko Jerkoviç me romanin “Le marlboro di Sarajevo“ si dhe francezja Alice Ferney me romanin “In Guerra”.