Vangjeli: Dhuna i përgjysmon shanset e protestës për të arritur objektivat
Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se protesta duhet të ruajë karakterin e saj paqësor, duke paralajmëruar se çdo akt dhune i dëmton kërkesat e qytetarëve dhe forcon pozitat e palës përballë.
Duke komentuar incidentet e fundit pranë Kuvendit, Vangjeli i cilësoi të papranueshme si dhunën fizike, ashtu edhe atë verbale. Sipas tij, çdo akt dhune legjitimon kryeministrin dhe i jep një avantazh të pamerituar përballë protestës.
“Dhuna është elementi i fundit që duhet të jetë i pranishëm në një protestë. Çdo akt dhune i përgjysmon shanset që protesta të realizojë objektivat e saj. Historia dhe studimet politike tregojnë se protestat paqësore kanë të paktën dy herë më shumë shanse të kenë sukses sesa protestat që shoqërohen me dhunë. Nëse do t’i bëhej një dhuratë e pamerituar palës tjetër, ajo do të ishte pikërisht dhuna. Çdo akt dhune legjitimon kryeministrin”, tha Vangjeli në “Trialog” në RTSH.
Ai kritikoi edhe gjuhën e përdorur në rrjetet sociale, duke thënë se fjalori denigrues bie ndesh me frymën e protestës dhe me synimin për të sjellë ndryshime demokratike.
Sipas tij, nëse protesta humbet karakterin e saj qytetar, rrezikon të humbasë edhe mbështetjen morale dhe të drejtën që sot gëzon në sytë e opinionit publik.
“Ajo që u pa në Parlament është totalisht e papranueshme. Dhuna është gjithmonë e dënueshme, qoftë fizike, qoftë verbale. Organizatorët duhet të japin mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi. Forca e protestës qëndron te arsyeja, jo te dhuna”, tha ai.