Vangjeli: Gjasat janë që protesta të shuhet në korrik, por shkaqet e saj janë akoma në shesh
Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se gjasat janë që protesta të shuhet në korrik, por shkaqet e saj janë akoma në shesh.
“Gjasat janë që protesta me ardhjen e korrikut – një muaj përvëlues – të shuhet, sepse vapa përvëluese i ftoh edhe pasionet më të nxehta të shqiptarëve. Por jo, ka një gjë që është thelbësore për t’u thënë: njerëzit edhe mund të largohen nga bulevardi, por shkaqet që i nxorën në bulevard janë atje”, – shprehet Vangjeli.
Analisti nënvizon karakterin unik të kësaj proteste, e cila ka arritur të tejkalojë format tradicionale të protestave të mëparshme në Shqipëri. Sipas tij, ajo ka konkurruar me sukses dominimin e politikës nga “binomi Rama-Berisha”.
“Nga ana tjetër, shënjestrimi i dy njerëzve pothuajse të vetëm që prodhojnë politikë në Shqipëri – binomi Rama-Berisha – tashmë është konkurruar dhe është konkurruar ndryshe, pikërisht nga një turmë pa emër, pa formë, pa një identitet vetjak e unik, pa liderë e pa njerëz të cilët i japin emër e mbiemër asaj. Sepse kërkesa themelore, fryma përbashkuese e kësaj proteste është rikthimi në rregullat klasike të demokracisë, as më shumë, as më pak”, thekson ai.
Vangjeli vlerëson se protesta ka sjellë në shesh akumulimin e thellë të pakënaqësive sociale dhe politike, duke ekspozuar një realitet që si mazhoranca ashtu edhe opozita tradicionale nuk kanë arritur ta artikulojnë plotësisht.
“Protesta gjithashtu është shprehja më e qartë e asaj që ëndërronte ta vinte në dukje opozita, por ka dështuar ta bëjë, dhe e asaj që mazhoranca ka tentuar ta fshehë, por tashmë është në shesh. Është akumulimi i pakënaqësive, pra dëshmimi i një realiteti që shkon përtej asaj që duan të besojnë në zyrat e mbyllura”, shpjegon ai.
Një tjetër aspekt kyç që Vangjeli nënvizon është rrëzimi i imazhit të ndërtuar me vite të Edi Ramës.
“Tjetër gjë që protesta solli ka të bëjë me rrëzimin e investimit personal më jetëgjatë dhe ndoshta më të madh që ka bërë Edi Rama – edhe personal, edhe politik. Klisheja e udhëheqësit vizionar të një vendi të vogël ballkanik, po më europian se vetë europianët; personazhi ekzotik, basketbollisti i gjatë, piktori… Pra, e gjitha kjo klishe tashmë është rrëzuar”, – përfundon Vangjeli.