Tuesday, 30 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaVangjeli: Protesta, pjesë e një cikli që do të mbyllet brenda korrikut për të rifilluar në vjeshtë

Vangjeli: Protesta, pjesë e një cikli që do të mbyllet brenda korrikut për të rifilluar në vjeshtë

Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se protesta qytetare po hyn në një fazë të re të zhvillimit të saj, të cilën e cilësoi si “momentin e parafundit” në ciklin e një lëvizjeje proteste, duke paralajmëruar se çdo tendencë për radikalizim mund të dëmtojë kauzën e saj.

Sipas tij, protesta mund të mbyllë këtë cikël gjatë muajit korrik, për t’u rikthyer më pas në vjeshtë.

“Ky është ai momenti që do të quhej i parafundit në ciklin e një proteste, kur shkohet drejt radikalizimit. Shpresoj shumë që ky të jetë një episod i veçuar. Në fakt, elementet e radikalizimit të protestës janë. Shikoni se çfarë ndodh në rrjetet sociale ndaj kritikëve të protestës. Edhe kjo është normale, mund të jesh pro saj, mund të jesh kundër saj, por me një gjuhë të jashtëzakonshme urrejtjeje, polarizuese, linçuese. Unë besoj se është pjesë e një cikli që do të mbyllet tashmë, do të mbyllet brenda korrikut, besoj, për të rifilluar ndoshta në vjeshtë edhe më fort dhe më ashpër”, tha Vangjeli në emisionin “Trialog” në RTSH.

Vangjeli theksoi se suksesi i protestës varet nga ruajtja e karakterit paqësor, duke argumentuar se protestat paqësore kanë më shumë gjasa të arrijnë objektivat e tyre.

“Është nevojë e dëshpëruar e protestës dhe e gjithë shoqërisë shqiptare, atyre që e mbështesin apo jo atë, që protesta të vazhdojë të jetë paqësore. Shanset e një proteste paqësore për të arritur objektivat e saj janë së paku dy herë më të larta se çdo protestë e dhunshme. Duhet të shmanget nga vetë protesta çdo paralelizim me një të shkuar të dështuar”, tha ai.

Lini një koment