“VATRA” dënon ashpër deklaratën antishqiptare të ministres serbe Snežana Paunović
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” ka dënuar me tone të forta deklaratën e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snežana Paunović, e cila u shpreh se, po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata e ministres serbe u bë gjatë emisionit “Untold”, të transmetuar më 11 korrik 2026 në televizionin serb Kurir. Paunović është një politikane e lartë e Partisë Socialiste të Serbisë, forcës politike që drejtohej nga Millosheviqi gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ajo është anëtare e kësaj partie që nga viti 1992 dhe aktualisht mban edhe postin e nënkryetares së saj.
Në reagimin e nënshkruar nga kryetari i saj, Dr. Elmi Berisha, “VATRA” e cilëson deklaratën “fashiste, të papranueshme, të turpshme, të neveritshme dhe çnjerëzore”.
Sipas Federatës Panshqiptare të Amerikës, një qëndrim i tillë përbën glorifikim dhe justifikim të spastrimit etnik dhe të politikave të dhunshme që regjimi i Sllobodan Millosheviqit zbatoi kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.
“Një deklaratë e tillë është fyerje për mijëra viktima të luftës, për familjet e tyre dhe për qindra mijëra shqiptarë të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre”, thuhet në reagimin e “VATRËS”.
Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën më shumë se 13 mijë persona, shumica shqiptarë të Kosovës, ndërsa qindra mijëra të tjerë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e operacioneve të forcave serbe.
“VATRA” paralajmëron se retorika e përdorur nga ministrja Paunović nuk prek vetëm kujtesën dhe dinjitetin e viktimave, por përbën edhe kërcënim për paqen, stabilitetin, pajtimin dhe sigurinë në Ballkan.
Federata u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë me vendosmëri ndaj deklaratave që nxisin dhunën dhe urrejtjen etnike ose që mohojnë dhe justifikojnë krimet e kryera në Kosovë.
“Heshtja përballë kësaj retorike të tmerrshme vetëm sa inkurajon krimin, gjenocidin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe rrezikon paqen e lirinë e fituar me gjak e sakrifica sublime”, theksohet në deklaratën e “VATRËS”.
Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të shumta edhe në Kosovë dhe në institucionet evropiane. Autoritetet e Kosovës e shpallën Paunovićin person të padëshiruar, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin nëpër territorin e Kosovës. Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, mbështet ose lavdëron spastrimin etnik.
Edhe organizata serbe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Paunovićit nga detyra ministrore, duke e cilësuar deklaratën e saj si gjuhë urrejtjeje dhe vazhdim të ideve kriminale të regjimit të Millosheviqit.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” e mbyll reagimin e saj me “indinjatë të thellë”, duke kërkuar që deklarata të tilla të mos kalojnë pa përgjegjësi politike dhe pa një reagim të qartë ndërkombëtar.