Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiVatra Michigan del kundër protestave dhe mbështet projektin e qeverise

Vatra Michigan del kundër protestave dhe mbështet projektin e qeverise

Dega e Michiganit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” ka publikuar një deklaratë ku shpreh mbështetjen përprojektin e qeverise ne Zvernec dhe shprehet kunder protestave te rinise ne Tirane.Në deklaratën e saj, organizata e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara thekson se Shqipëria ka nevojë për më shumë investime, më shumë vende pune dhe më shumë zhvillim ekonomik. Vatra Michigan shprehet se mbështet çdo investim serioz dhe të ligjshëm amerikan, europian apo nga vende të tjera të botës që kontribuon në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe të trevave shqiptare.

Deklarata vjen në një moment kur në Shqipëri po zhvillohen protesta kundër projekteve turistike të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe të Nartës, projekte që janë lidhur në debatin publik me investitorë amerikanë dhe me familjen e Presidentit Donald Trump.

Sipas Vatrës Michigan, fakti që investitorë dhe sipërmarrës të njohur amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion me potencial për investime përbën një vlerësim të rëndësishëm për vendin. Organizata shprehet gjithashtu se mbështet çdo nismë serioze që kontribuon në prosperitetin dhe sigurinë e Shqipërisë.

Në deklaratë kujtohet edhe roli historik i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, e themeluar në Boston në vitin 1912 nga figura të njohura të Rilindjes Kombëtare, si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe Paskal Aleksi. Sipas organizatës, për më shumë se një shekull “Vatra” ka qenë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Në përfundim, Vatra Michigan rithekson se do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që sjell investime, krijon mundësi për brezat e rinj dhe forcon zhvillimin ekonomik të shqiptarëve kudo që jetojnë.. Me poshte deklarata e plote:

DEKLARATË E VATRES MICHIGAN NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, e themeluar në Boston në vitin 1912 nga patriotë të shquar si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe Paskal Aleksi është organizata më e vjetër dhe më e rëndësishme e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për më shumë se një shekull, “Vatra” ka qenë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Në momentet më të vështira të historisë sonë, ajo mobilizoi shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë, financoi veprimtari patriotike, mbështeti arsimin kombëtar dhe shërbeu si zëri më i fuqishëm i shqiptarëve në Washington. Kontributi i “Vatrës” në mbrojtjen e Shqipërisë nga copëtimi dhe në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare mbetet një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare.
Figura të tilla si Fan S. Noli dhe Faik Konica ndërtuan ura komunikimi me institucionet më të larta amerikane, duke e bërë “Vatrën” një organizatë me prestigj dhe ndikim të veçantë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kjo trashëgimi na detyron edhe sot të punojmë për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë frymë, Vatra Michigan ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe mirëpret çdo hap që forcon ekonominë, rrit mirëqenien e qytetarëve dhe e bën vendin më tërheqës për investime. Shqipëria ka nevojë për më shumë investime, më shumë vende pune, më shumë zhvillim dhe më shumë besim nga partnerët e saj strategjikë.
Vatra Michigan mbështet çdo investim serioz dhe të ligjshëm amerikan, europian apo nga vende të tjera të botës, që kontribuon në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të trevave shqiptare. Shqipëria ka nevojë për më shumë investime të tilla, të cilat sjellin kapital, ekspertizë, teknologji dhe besim tek e ardhmja e vendit.
Në këtë kontekst, “Vatra” e konsideron një vlerësim të rëndësishëm për Shqipërinë faktin që investitorë dhe sipërmarrës të njohur amerikanë po e shohin vendin tonë si një destinacion me potencial. Ne e kemi mbështetur Presidentin Donald Trump dhe vazhdojme te mbeshtesim cdo nisme serioze qe i sherben atdheut tone , per rritjen e prosperitetit dhe sigurise te vendit .
Sot, ashtu si në vitin 1912, misioni ynë mbetet i pandryshuar: të mbrojmë interesin kombëtar shqiptar, të forcojmë lidhjet shqiptaro-amerikane dhe të kontribuojmë për një Shqipëri më të zhvilluar, më të fortë dhe më të respektuar në botë.
Vatra do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që afron investime, krijon mundësi për brezat e rinj dhe forcon prosperitetin e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Vatra Michigan

Lini një koment