Vazhdon konflikti në Aeroportin e Vlorës, bllokohet hyrja për grupet e punës
Tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës kanë vijuar edhe këtë të martë, duke sjellë bllokimin e hyrjes për grupet e punës dhe nënkontraktorët e angazhuar nga kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli.
Sipas informacioneve paraprake, situata është shoqëruar me përplasje verbale dhe momente tensioni mes punonjësve që tentonin të hynin në kantier dhe përfaqësuesve të sigurisë së kompanisë që aktualisht administron hyrjen në aeroport.
Në zonë kanë qenë të pranishme forca të Policisë së Shtetit, të cilat kanë monitoruar situatën me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe garantimin e rendit publik.
Burime pranë projektit bëjnë me dije se përplasjet lidhen me mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes aksionerëve të përfshirë në ndërtimin e aeroportit, një konflikt që po ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve.
Ndërkohë, bllokimi i hyrjes së grupeve të punës dhe nënkontraktorëve ka krijuar vështirësi në vijimin normal të aktivitetit në kantier, duke ngritur pikëpyetje mbi afatet e përfundimit të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga palët e përfshira në konflikt lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës.