E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vendoret 2027/ PD hap garën për përzgjedhjen e kandidatëve për bashkitë, afati deri më 30 nëntor

Vendoret 2027/ PD hap garën për përzgjedhjen e kandidatëve për bashkitë, afati deri më 30 nëntor

Partia Demokratike ka vënë në lëvizje strukturat për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë për drejtimin e bashkive në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Udhëzimi, i firmosur nga kryetari Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, përcakton kriteret dhe mënyra e paraqitjes së kandidaturave.

Demokratët kanë vendosur që procesi të mos kufizohet vetëm te propozimet nga strukturat partiake. Mundësia për të propozuar kandidatë do t’u jepet edhe mbështetësve, simpatizantëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve lokale, shoqërisë civile, botës akademike dhe profesionistëve.

Në garë pritet të përfshihen emra që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga PD, ku rëndësi të veçantë do t’i kushtohet integritetit, figurës publike, formimit arsimor dhe angazhimit në jetën qytetare e politike.

Përzgjedhja do të kalojë përmes një Komisioni Seleksionimi me pesë anëtarë, i cili do të shqyrtojë kandidaturat dhe do t’i përcjellë Kryesisë së partisë emrat që vlerësohen të përshtatshëm për vijimin e garës.

Një trajtim të veçantë parashikohet për deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive, të cilët konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme.

Të interesuarit mund të paraqesin kandidaturën përmes propozimit nga strukturat ose me vetëpropozim, duke dorëzuar dokumentacionin pranë sekretariatit përkatës të partisë.

Partia Demokratike ka caktuar 30 nëntorin 2026 si datën e fundit për mbledhjen e propozimeve, duke nisur kështu fazën e parë të përgatitjeve për betejën elektorale të vitit 2027.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment