“Verifikimi i fakteve na ndihmon edhe në debatin për racizmin në ekran”, AMA: Skeçi i “Portokallisë” po shqyrtohet!
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar për skeçin “Afganët në hipotekë”, të transmetuar më 15 nëntor në emisionin “Portokalli”, duke bërë të ditur se përmbajtja është aktualisht në proces shqyrtimi në kuadër të monitorimit të përditshëm të institucionit.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, thekson se institucioni nuk miraton paraprakisht programet televizive dhe se përgjegjësia editoriale për transmetimin i takon televizionit, ndërsa vlerësimi i AMA-s kryhet pas transmetimit dhe mbi materialin e plotë. Sipas saj, në rastin e satirës duhet të merret parasysh edhe liria krijuese, konteksti dhe objekti real i humorit.
Në reagimin e saj, Krasniqi rikujton gjithashtu se gjatë tre viteve të fundit AMA ka vendosur 13 gjoba dhe 39 masa tërheqjeje vëmendjeje për raste të racizmit dhe gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive.
Reagimi i plotë:
“Verifikimi i fakteve na ndihmon edhe në debatin për racizmin në ekran
13 gjoba dhe 39 masa tërheqjeje vëmendjeje për raste të racizmit dhe gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive. Ky është bilanci trevjeçar i monitorimit që bëra publik më 15 prill 2026, në Kuvend, gjatë dialogut parlamentar të organizuar nga Këshilli i Europës. Vetë Gazeta Tema ka raportuar një rast konkret. Në nëntor 2025, AMA gjobiti RTSH-në me 100 mijë lekë për trajtimin denigrues me elemente diskriminimi racor të futbollistit nga Gana, Arnold Kwaku Siaw, në emisionin “Super Gol”. AMA ka publikuar gjithashtu masa për gjuhën seksiste dhe mizogjene në televizion. Këto të dhëna janë publike dhe gjenden lehtësisht me një kërkim në Google.
Shkrimi “Racizmi ynë i lehtë, i banal dhe televiziv” i publikuar edhe në Gazeta Tema ngre një shqetësim me vend për mënyrën si përfaqësohen punëtorët e huaj në ekran. Ai ngre edhe një pretendim për AMA-n. Sipas autorit, institucioni reagon kur gjuha e dhunës drejtohet ndaj institucioneve dhe bizneseve, ndërsa tregon më pak shqetësim kur në ekran poshtërohen njerëz që kanë më pak mundësi të mbrohen. Për të vlerësuar nëse AMA ka zbatuar standarde të ndryshme, duhen parë transmetimet, arsyetimet dhe masat në raste të krahasueshme.
Por, bilanci i publikuar që nga muaji Prill tregon se AMA ka ndërhyrë edhe për racizmin dhe diskriminimin.
Dy fjalë për rastin;
Skeçi “Afganët në hipotekë”, i transmetuar më 15 nëntor në “Portokalli”, po shqyrtohet në kuadër të monitorimit të përditshëm të AMA-s. AMA nuk është zjarrfikëse. Monitorimi kryhet pa ndalur çdo ditë, me nismën e institucionit, edhe kur një transmetim nuk bëhet objekt i një shkrimi apo i një ankese. AMA nuk i sheh dhe nuk i miraton programet përpara se të dalin në ekran. Vendimi për transmetimin dhe përgjegjësia editoriale i takojnë televizionit. AMA e vlerëson përmbajtjen pas transmetimit, mbi materialin e plotë.
Për një skeç, ky vlerësim duhet të nisë nga mënyra si funksionon satira. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjet Vereinigung Bildender Künstler kundër Austrisë dhe Eon kundër Francës, ka shpjeguar se teprimi dhe shtrembërimi i qëllimshëm i realitetit janë tipare të satirës, si formë e shprehjes artistike dhe e komentit shoqëror. Pikërisht, sepse, satira synon të provokojë, çdo kufizim i saj kërkon kujdes të veçantë sipas nenit 10 të Konventës. Fakti që një batutë fyen ose trondit, i marrë më vete, nuk mjafton për të justifikuar ndërhyrjen.
Çështja e karikaturave të Charlie Hebdo, e gjykuar në Paris në vitin 2007, e bën konkret këtë dallim. Gjykata franceze vlerësoi se kopertina e Cabu-së vinte në lojë fondamentalistët. Një karikaturë tjetër mund të lexohej, e marrë veçmas, si fyese ndaj myslimanëve në përgjithësi. Për të, gjykata shqyrtoi vendin që zinte në numrin e revistës dhe debatin publik në të cilin u botua. Drejtori i botimit u shpall i pafajshëm. Rasti tregon pse duhen parë si objekti i satirës, ashtu edhe kuptimi që merr ajo në kontekst.
Në rastin e “Portokallisë”, një personazh mund të shprehë një paragjykim pikërisht që publiku të qeshë me absurditetin e tij. Por një skeç mund të vërë në lojë paragjykimin e Ramadanit dhe, në të njëjtën kohë, të përdorë stereotipe për punëtorët e huaj për të nxjerrë të qeshura. Prandaj ka rëndësi të shihet kujt i jepet zë në skenë, si portretizohen personazhet dhe mbi çfarë mbështetet batuta. Këshilli i Ankesave i ka marrë në konsideratë edhe më parë veçoritë e humorit dhe lirinë krijuese, kur ka shqyrtuar një skeç të “Kosheres” në RTSH. Për “Portokallinë”, vlerësimi është ende në proces.
I inkurajoj gazetarët dhe qytetarët të shkruajnë për AMA-n, edhe çdo ditë, dhe ta kritikojnë. Asnjë institucion nuk është i pagabueshëm.
Kur kritika ka të bëjë me atë që AMA ka bërë ose ka lënë pa bërë, raportet, buletinet dhe të dhënat janë të hapura për këdo. Mund të kundërshtohet çdo vendim dhe të vihet në diskutim çdo standard.
Liria për të kritikuar AMA-n është e plotë. Publiku ka të drejtë të kërkojë që si vendimet e AMA-s, ashtu edhe kritikat ndaj saj, të mbështeten në fakte.
Armela Krasniqi
Kryetare e AMA-s”.