Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaVIDEO/ Gentiana Sula: Tranzicioni u soll me hipokrizi ndaj të përndjekurve! Fëmijëve të internimit u detyrohemi njohje ligj

VIDEO/ Gentiana Sula: Tranzicioni u soll me hipokrizi ndaj të përndjekurve! Fëmijëve të internimit u detyrohemi njohje ligj

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, AIDSSH, Gentiana Sula, ishte sot e pranishme gjatë “Turit Shenjues Përkujtimor “Peizazhe të Internimit”, në fshatrat e Lushnjës.

Turi nisi me homazhe në Memorialin e Përndjekjes Politike dhe vijoi në Savër, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, më pas në Gjazë, në ish-Burgun e Grave në Kosovë të Madhe, në Plug dhe në shkollën “Lek Pervizi”.

Duke folur në Savër, Sula deklaroi se tranzicioni shqiptar u soll shpesh me hipokrizi, zvarritje dhe neglizhencë ndaj viktimave të diktaturës.

“Shumë prej tyre ikën pa gjetur eshtrat e njerëzve të tyre, pa rifituar pronën, pa marrë njohjen dhe kujdesin që meritonin”, u shpreh ajo.

Sula kërkoi edhe njohjen ligjore të fëmijëve të lindur ose të rritur në internim, të cilët përjetuan të njëjtat privime dhe stigmë politike, megjithëse emrat e tyre mungonin në vendimet administrative.

“Mungesa e emrit në një dokument nuk e zhbën dëmin e pësuar. Njohja e tyre nuk është privilegj; është drejtësi e vonuar, dinjitet dhe përgjegjësi e shtetit”, theksoi Sula.

Ajo kërkoi që ndjesa e shtetit të dëshmohet me vepra: me njohje ligjore, mbështetje konkrete, kthim të të drejtave, kërkim për të zhdukurit dhe ruajtje të vendeve të kujtesës.

Turi Shenjues Përkujtimor “Peizazhe të Internimit” u organizua nga AIDSSH-ja në kuadër të 23 Gushtit – Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.

Turi përshkoi disa nga vendet kryesore të internimit në Lushnjë, duke ndërthurur dokumentet arkivore, dëshmitë e të mbijetuarve dhe kujtesën e hapësirave ku familje të tëra jetuan nën apel, mbikëqyrje, punë të detyruar dhe privim të lirisë.

Harta e deritanishme e AIDSSH-së evidenton 16 fshatra dhe vendbanime të lidhura me internimin në këtë zonë. Sipas të dhënave të administruara, në to vuajtën mbi 500 familje, me rreth 2,100 persona të evidentuar.

Lini një koment