VIDEO/ Mrekullitë e portierit të Kombëtares te Partizani, si mohoi i vetëm 3 gola të sigurt në derbin ndaj Dinamos
Pano Qirko bëri heroin dje për Partizanin në “Elbasan Arena”. Portieri i Kombëtares shqiptare i mohoi 3 gola të sigurt Dinamos në 47 minuta lojë, duke i hapur rrugë fitores së “demave” me rezultatin 1-4.
Rasti i parë i derbit ishte në minutën e 19-të. Qirko devijoi në këndore topin e goditur nga Flamur Ruçi. Një rast i pastër goli dhe i pari i rrezikshëm i sfidës.
Episodi i dytë u regjistrua në minutën e 38-të, teksa Partizani ishte në avantazh të një goli. Qirko bëri mrekullinë duke pritur gjuajtjen e Florenc Farrukut.
Sapo filloi pjesa e dytë, Partizani shpëtoi nga një tjetër rast i pastër goli që do të barazonte derbin. Ishte pikërisht Qirko që ndali goditjen e Malomos, i cili po ashtu i kishte të gjitha mundësitë për gol. Më pas iu hap rruga triumfit të Partizanit.
Të kuqtë kanë rifituar stabilitetin në portë, prej katër javësh që përkojnë me fazën e dytë. Konkretisht janë dy gola të pësuar, kundrejt 21 të tjerëve të pësuar në fazën e parë me nëntë javë. Një i Vllaznisë me penallti që rezultoi vendimtar, ndërsa tjetri i Dinamos që pati vlerë vetëm për statistika.
Pritjet e Pano Qirkos: (VIDEO)