E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vidhnin makina në Fier për t’i përdorur në aktivitete kriminale, arrestohet 51-vjeçari, në kërkim dy bashkëpunëtorët

Vidhnin makina në Fier për t’i përdorur në aktivitete kriminale, arrestohet 51-vjeçari, në kërkim dy bashkëpunëtorët

Policia e Fierit arrestoi në flagrancë shtetasin A. K., 51 vjeç, banues në Fier, pas një hetimi disa-mujor, në kuadër të operacionit të koduar “The Last Move”, siç njofton BalkanWeb. Ai dyshohet se vidhte automjete në qytetin e Fierit, për t’i përdorur në aktivitete kriminale.

Sipas hetimit, në këtë veprimtari dyshohet se ai bashkëpunonte me shtetasit E. H., 23 vjeç, dhe K. B., 26 vjeç, të dy banues në Fier. Dy bashkëpunëtorët e dyshuar janë shpallur në kërkim dhe puna e Policisë për kapjen e tyre vijon.

Gjatë muajit nëntor 2026, ata dyshohet se kanë vjedhur një automjet “Benz” tip “ML” dhe një “Volkswagen” tip “Golf”. Automjeti “Benz ML” u gjet në qytetin e Fierit, ndërsa “Golf”-i u gjet i djegur në fshatin Hamil të Fierit. Të dy automjetet u sekuestruan si provë materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Lini një koment