Vijojnë kontrollet kundër zhurmës së lartë në Shkodër, gjobitet me 200 mijë lekë pronari i një lokali
Një 38-vjeçar, pronari i një subjekti në Shkodër, në lagjen “Vasil Shanto”, është gjobitur mbrëmjen e djeshme me një shumë prej 200 mijë lekësh, për shkak të tejkalimit të normave të lejuara të muzikës së lartë.
Sipas raportimeve të Policisë, nga matjet e kryera, muzika ka qenë në nivelin 86.3 dB dhe është gjobitur pronari, shtetasi M. L., 38 vjeç.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë.
Gjatë kontrolleve, në lagjen “Vasil Shanto”, u konstatua se në një lokal gjenerohej muzikë mbi nivelin e lejuar. Nga matja e kryer me pajisjen përkatëse rezultoi se niveli i zhurmës ishte 86.3 dB. Për këtë shkelje, në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari i subjektit, shtetasi M. L., 38 vjeç, banues në Shkodër, u ndëshkua me masë administrative prej 200 000 lekësh të rinj.
Kontrollet, verifikimet dhe matjet do të vijojnë.
Policia e Shtetit apelon ndaj pronarëve dhe administratorëve të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, që të respektojnë kriteret ligjore për orarin e zhvillimit të këtyre aktiviteteve dhe nivelin e zhurmës që gjenerohet prej tyre.
Gjithashtu, fton qytetarët që të njoftojnë Policinë për çdo shqetësim apo paligjshmëri, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe trajtim në përputhje me ligjin.