Wednesday, 24 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaVijojnë tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës, punimet mbeten të bllokuara

Vijojnë tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës, punimet mbeten të bllokuara

Situata në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës paraqitet sërish e tensionuar edhe gjatë ditës së sotme (24 qershor). Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së, Afrovita Hysaj, rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet.

Ndërkohë, kamionët e kompanisë 2A Group vijojnë të mbajnë të bllokuara hyrjet kryesore të kantierit, duke penguar qarkullimin normal të punonjësve dhe mjeteve të punës.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe drejtues të kompanisë MABCO, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zgjidhjen e situatës. Forcat e policisë janë paraqitur në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e hyrjeve, duke argumentuar se janë në pritje të urdhrave dhe procedurave përkatëse nga organet kompetente.

Si pasojë, të gjitha hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës vijojnë të mbeten të bllokuara, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve.

Lini një koment