Vjedhja e pensioneve në Durrës, Tabaku kërkon transparencë: Ku kanë përfunduar paratë e pensionistëve?
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar transparencë për çështjen e vjedhjes së pensioneve në Postën e Durrësit, pas njoftimit të SPAK për nisjen e hetimeve.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Tabaku e cilësoi ngjarjen si tepër të rëndë dhe të papranueshme, duke kërkuar sqarime mbi fatin e parave të pensionistëve.
Ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar fondet dhe kërkoi që institucionet përgjegjëse të japin llogari për atë që ka ndodhur.
“Jemi mësuar që janë vjedhur fondet e rrugëve, të inceneratorëve, janë vjedhur fonde kudo. Por të vjedhësh edhe lekët e pensionistëve, ky është një nivel i ri që nuk e kishte arritur askush”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kërkoi që komisioni të trajtojë çështjen dhe të zbardhet se ku kanë përfunduar paratë e pensionistëve në Durrës.
“Çfarë ka ndodhur me fondet e pensionistëve në Durrës? Çfarë ka ndodhur me vjedhjen e parave? Për mua kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, deklaroi ajo.
Reagimi i Tabakut vjen pas njoftimit të SPAK për nisjen e hetimeve lidhur me dyshimet për vjedhjen e pensioneve në Postën e Durrësit.