Vodhën 6 makina në Kavajë, Durrës dhe Tiranë, në pranga 2 autorët! Morën edhe lekët e një karburanti
Dy persona janë vënë në pranga gjatë mbrëmjes së djeshme nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se janë autorët e 6 rasteve të vjedhjes së makinave. Sipas raportimit të policisë, këta persona kanë vjedhur 1 makinë në Kavajë, 3 në Durrës dhe 2 në Tiranë.
Gjithashtu, sipas njoftimit bëhet e ditur se në pranga kanë rënë L. R., 37 vjeç, dhe A. H., 32 vjeç, persona të cilët dyshohet gjatë vjedhje së automjetit në Kavajë janë larguar, pasi janë ndihmuar nga shtetasit L. D. dhe B. S., të cilët janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Përveç rasteve të vjedhjes së makinave, shtetasi A. H. ka marrë gjithashtu me dhunë xhiron ditore në një pikë karburanti në Bulqizë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, si rezultat i hetimeve të kryera për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, operacionin e koduar “Cooperation”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit L. R., 37 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi më datë 24.09.2026, kanë vjedhur një automjet në Kavajë dhe më pas janë larguar, pasi janë ndihmuar nga shtetasit L. D. dhe B. S. (të arrestuar), të cilët kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Gjatë operacionit të koduar “Cooperation”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim, por ata nuk janë bindur dhe kanë kundërshtuar veprimet e punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet rezultoi se automjeti me targa të huaja me të cilin qarkullonin këta shtetas ishte i vjedhur.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, gjatë muajit shtator, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 3 automjete, në Durrës, ndërsa në Tiranë kanë vjedhur 2 automjete, në njërin rast duke kanosur me thikë, pronarin e automjetit.
Gjithashtu, dyshohet se më datë 17.09.2026, shtetasi A. H. ka vjedhur me dhunë një shumë parash (xhiron ditore), në një pikë karburanti, në Bulqizë.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.