“Votimi nuk ka vlerë”, Spiropali: Nuk mu dha mundësia as të flas në Grupin Parlamentar
Deputetja Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në konferencën për mediat pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka folur edhe lidhur me qëndrimet e saj publike, përgjegjësitë e brendshme dhe atë që e cilësoi si konsolidim të pushtetit të personalizuar.
Ajo u shpreh se qëndrimet e mbajtura prej saj nuk kanë qenë të diktuara nga interesa personale, por kanë synuar kufizimin e pushtetit në funksion të Shqipërisë dhe reflektimin mbi ndryshimet brenda forcës politike.
“Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, për ta kufizuar në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga një nevojë personale, di ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha e përgjegjësitë, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht.
Në atë kohë shumë ngritën vetulla dhe pyetën nga erdhi kjo, ishte një analizë. E mbaj si dekoratë që jam përjashtuar. Pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu, kjo është përtej pushtetit të Edi Ramës dhe raportit personal.
Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm. Kur kjo mungon, s’ka shtyllë që e mban në këmbë, s’ka rëndësi sa mandate”, tha ajo.
Spiropali për përjashtimin e saj nga forumet e PS-së dhe grupi parlamentar socialist tha se as në Asamblenë Kombëtare dhe as në mbledhjen e grupit nuk pati votim.
“As isha në atë mbledhje grupi, as kishte rend dite. Aty nuk u bë votim, u bë legjitim i një vendimi jo legjitim i një vendimi të asamblesë kombëtare që s’kishte votim. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, lërë me veprimi. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë dhe të duken bukur, gratë kanë dhe qëndrime. Kur nuk përputhen me qëndrimin e udhëheqjes. Unë diskutimet i bëra aty, s’ka rëndësi a jam unë flamingo e parë. Unë nuk jam, do ta kisha për nder.
Por flamengot janë një shprehje e kërkesës shoqërore për tu ngritur në një nivel tjetër, demokratizim. As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu si bënte këto nëpër mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që po akuzohej.
Ca është kjo që partitë duhet të jenë grusht i bashkuar për unitetin. Kam mbajtur debatin me Berishën në kuvend, se ai përfaqëson këtë model brenda partisë së tij dhe opozitës në këndvështrimin tim. Por s’mund të këtë vendimmarrje të tilla, që më shumë se legjitimitet ato shprehen arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve”, tha Spiropali.