Sunday, 20 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaVrasja e 44-vjeçarit, Hita mbërrin në Sarandë. Zhvillon mbledhje urgjente (VIDEO)

Vrasja e 44-vjeçarit, Hita mbërrin në Sarandë. Zhvillon mbledhje urgjente (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Sarandës paraditen e kësaj të diele, ku 44-vjeçari Artan Murtaj është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta. Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar i rastësishëm, i cili është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Pas ngjarjes së rëndë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbërritur urgjentisht në qytetin e Sarandës, ku ka zhvilluar një mbledhje emergjente.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.

Ai kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.

“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre.

Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, tha ai.

Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit.

Lini një koment