Xpeng do të zgjerojë prodhimin në Evropë para rregullave të BE-së për përmbajtjen vendase
Prodhuesi kinez i automjeteve elektrike Xpeng planifikon të zgjerojë prodhimin e tij në Evropë, në mënyrë që të përmbushë rregullat e reja të Bashkimit Evropian që kërkojnë një minimum përmbajtjeje vendase në makinat elektrike. Lajmin e bëri të ditur zëvendëspresidenti i kompanisë, Yeqing Zheng, i cili i tha Reuters-it në Panairin e Automjeteve në Paris se vendimi për linjën e re të prodhimit pritet brenda disa muajsh.
Aktualisht, siç njofton Reuters, automjetet e Xpeng për tregun evropian prodhohen me kontratë nga Magna në një fabrikë në Austri. Por, sipas Zheng, vëllimi i asaj fabrike “nuk mjafton” më për nevojat e kompanisë, e cila pret të vazhdojë të rritet me ritme dyshifrore në Evropë.
Prodhimi shtesë do të realizohet në partneritet me një prodhues vendas, qoftë duke ndërtuar një fabrikë të re, qoftë duke vënë në punë një ekzistuese. Linja e re do të përqendrohet te automjetet e nivelit të mesëm dhe do të duhet të ketë një bazë kostoje më të ulët se fabrika austriake, ndërsa nisja e prodhimit synohet para se rregullat evropiane “made in Europe” të hyjnë në fuqi.
Kompania po ndërton ndërkohë edhe zinxhirin e saj vendor të furnizimit për të mbështetur prodhimin më të madh. Zheng pranoi se do të jetë sfiduese të gjendet një furnizues baterish që përmbush nevojat e Xpeng për karikim dhe që prodhon qeliza me densitetin e duhur të energjisë.