Zakharova: Evropa do të ishte më e sigurt pa NATO-n
Evropa do të ishte më e sigurt pa NATO-n, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke e krahasuar aleancën ushtarake me një dhimbje dhëmbi.
“Nëse NATO nuk do të ekzistonte – dua të them, nëse aleanca nuk do të kishte luajtur dhe nuk do të vazhdonte të luante rolin që ka luajtur – siguria në Evropë ndoshta do të ishte shumë më e madhe ”, theksoi Zakharova, duke iu përgjigjur kritikave mbi thirrjet e Moskës për një riorganizim të arkitekturës evropiane të sigurisë.
“NATO është pikërisht organizata që – si një dhimbje dhëmbi, mund të thuhet – ka dobësuar sistemin imunitar të Evropës, pjesës së saj perëndimore, Evropës Qendrore dhe të gjithë botës, duke kërkuar dhe thithur burime të mëdha për masa reagimi”, vazhdoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.
Zakharova po i përgjigjej një deklarate të kancelarit gjerman Friedrich Merz, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Merz tha se nuk kishte nevojë të diskutoheshin me Rusinë çështjet që lidhen me arkitekturën evropiane të sigurisë . “Nuk kemi nevojë ta diskutojmë këtë – ajo tashmë ekziston”, tha Merz.
Udhëheqësit evropianë kohët e fundit hodhën poshtë një propozim të Moskës në samitin në Dublin.