Zbardhet atentati ndaj servisit të celularëve në Kamëz, arrestohet 18-vjeçari që qëlloi me kallashnikov
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Babrrusë, në Kamëz, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh.
Sipas uniformave blu, autori i dyshuar është një 18-vjeçar me inicialet R. M., i cili është arrestuar vetëm pak orë pas ngjarjes, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zbulimi”.
Nga hetimet rezulton se i riu, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin me inicialet Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan menjëherë një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili u lokalizua rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe u vu në pranga.
Gjatë kontrollit të zonës, policia gjeti dhe sekuestroi armën automatike të përdorur në sulm, si dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.