E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKronikaZbardhet skema e prodhimit të parave false në Michigan, arrestohet një 56-vjeçar

Zbardhet skema e prodhimit të parave false në Michigan, arrestohet një 56-vjeçar

Detaje të reja kanë dalë nga një hetim pesëmujor mbi përdorimin dhe prodhimin e valutës së falsifikuar në shtetin e Michiganit, duke çuar në arrestimin e një të dyshuari që dyshohet për aktivitet kriminal në disa shtete të SHBA-së.

Ngjarja nisi në fund të tetorit 2025, kur një efektiv i Policisë së Shtetit të Michiganit (MSP), nga posta e Traverse City, iu përgjigj një ankese për kartëmonedha false prej 10 dollarësh që ishin përdorur në një dyqan Dollar General në rrugën Reynolds, në Benzie County. Gjatë hetimeve fillestare, u zbulua se dy incidente pothuajse identike ishin raportuar një ditë më parë edhe në Grand Traverse County.

Për pesë muaj me radhë, policia bashkëpunoi me agjenci lokale, shtetërore, federale dhe edhe me autoritete jashtë shtetit, duke zhvilluar një hetim të zgjeruar që përfshiu edhe lëshimin e disa urdhrave për kontroll. Si rezultat, autoritetet arritën të identifikojnë një të dyshuar kryesor.

Sipas policisë, bëhet fjalë për Matthew Wilson, 56 vjeç, nga Grand Rapids, i cili u lokalizua më 27 mars 2026 në një hotel pranë aeroportit të Grand Rapids nga ekipi i kërkimit të personave në arrati i Distriktit të Gjashtë të MSP. Në dhomën e hotelit ndodheshin gjithashtu dy shtetas nga Malajzia, të cilët kishin udhëtuar së fundmi në SHBA.

Wilson u arrestua mbi bazën e një urdhër-arresti me pesë akuza penale, të autorizuar në fillim të marsit 2026 nga Prokuroria e Benzie County. Ndër akuzat kryesore është edhe përdorimi dhe qarkullimi i kartëmonedhave të falsifikuara.

Fillimisht ai u mbajt në burgun e Kent County, për t’u transferuar më pas në Benzie County. Gjatë kontrollit të mëvonshëm në dhomën e hotelit, policia sekuestroi sasi të tjera parash të falsifikuara, një çek të rremë, disa pajisje elektronike, një printer si dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e valutës false.

Autoritetet dyshojnë se Wilson ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale ndër-shtetërore, përfshirë prodhimin e rreth 30 mijë dollarëve të falsifikuar, si dhe veprimtari të ngjashme në të paktën 14 shtete të tjera.

Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese dhe nuk përjashtohet ngritja e akuzave të tjera. Ndërkohë, shtetet Iowa dhe North Dakota kanë lëshuar gjithashtu urdhër-arreste të ekstradueshme ndaj tij.

Më 6 prill 2026, Wilson doli përpara gjykatës në 85-1 District Court në Benzie County, ku gjykata caktoi një garanci prej 250 mijë dollarësh, në para ose me garanci pasurore. Seanca e radhës është planifikuar për më 20 prill 2026.

Lini një koment