Zelensky i prerë nga Dublini: Nuk ka lëshime territoriale në Donbas, SHBA të ushtrojë presion mbi Moskën
Presidenti Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë kategorikisht presionin e SHBA-së për lëshime territoriale në Donbas, duke përsëritur se Kievi nuk do të dorëzojë territoret e tij sovrane për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, ndërsa të dërguarit e Donald Trump mbërritën në Moskë të enjten në mëngjes për bisedime me Vladimir Putin.
Të dërguarit specialë të SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner zbarkuan në aeroportin Vnukovo të Moskës, ku u pritën nga përfaqësuesi special i Putinit, Kirill Dmitriev, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax.
Të dy të dërguarit pritet të takohen me presidentin rus përpara se të udhëtojnë për në Dublin për negociata të reja me Zelenskyn, pas dy ditësh bisedimesh midis përfaqësuesve ukrainas dhe rusë në Abu Dhabi, nën ndërmjetësimin amerikan.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin irlandez Michail Martin në Dublin, Zelensky tha se negociatorët amerikanë e kanë ngritur vazhdimisht çështjen e Donbasit në kontekstin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje.
“Pala amerikane shumë shpesh ngre çështjen e Donbasit , një pjesë e tokës ukrainase”, tha Zelensky.
“Ata besojnë se për t’i dhënë fund kësaj lufte duhet të largohemi nga territoret tona. Është e pamundur të na flasësh në këtë mënyrë neve, një vendi të pavarur dhe sovran”, u shpreh më tej Zelensky.
Zelensky tha se Uashingtoni po shqyrtonte propozime alternative, pa zbuluar përmbajtjen e tyre, por theksoi se progresi do të varet nga gatishmëria e SHBA-së për të ushtruar presion mbi Moskën.
Komentet e tij erdhën pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dhabi, ku delegacionet ukrainase dhe ruse mbetën thellësisht të ndara mbi pretendimet territoriale dhe kushtet për përfundimin e luftës.
Kreu i ekipit negociator ukrainas, Rustem Umerov , pranoi se mbetën dallime të rëndësishme midis dy palëve pavarësisht bisedimeve.
“Gjatë këtyre dy ditëve, palët ishin në gjendje të paraqisnin qëndrimet e tyre drejtpërdrejt dhe ende ekzistojnë dallime të rëndësishme midis tyre”, tha Umerov .
Nga ana e tij, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, përjashtoi mundësinë e një shkëmbimi territoresh si pjesë të një marrëveshjeje, sipas mediave shtetërore ruse, duke treguar se Moska ende nuk është e gatshme të bëjë kompromis për çështjet territoriale.