Zhvillimet politike në Serbi, Rama: Lista Studentore është një eksperiment i ri, por s’ka ndryshim për Kosovën
Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti në Dublin të Irlandës, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane, komentoi zhvillimet politike në Serbi, duke theksuar se vendi po kalon një eksperiment social dhe politik me Listën Studentore.
Rama u shpreh se nuk ka hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe as ndryshim të qasjes ndaj Rusisë.
Sipas tij, për sa kohë Beogradi nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, “fantazma e së shkuarës” do të vazhdojë ta pengojë Serbinë të kryejë një katarsis politik.
“Komisioni ka pasur probleme me administratën e mëparshme në Serbi, çështje që lidhen me shtetin e së drejtës, probleme lidhur me disa kërkesa thelbësore të BE-së, ndërkohë që është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë që vjen më pas.
Serbia po kalon në një eksperiment social dhe politik me listën studentore dhe me metodën e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament dhe qeveri.
Nuk ka ndonjë hapje sa i takon normalizimit me Kosovën, sanksioneve kundër Rusisë apo qasjes kur bëhet fjalë për atë që faktikisht është përkufizuar si mbyllje më parë me qeverinë që ishte.
Është interesante, por shumë herët të tregohemi entuziastë për këtë ndryshim. Për sa kohë nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, do të thotë që fantazma e së shkuarës do ta përndjekë dhe pengojë Beogradin për të kryer një katarsis.”