Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaZjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve

Zjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit. Vatra e zjarrit është shfaqur në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore, në zonën e Zvërnecit. 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja është vështirësuar nga bimësia e dendur, temperaturat e larta dhe era, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit. 

Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, në territorin e bashkisë Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar shpërndarjen e forcave në terren. Përveç Pyllit të Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport. 

Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për sipërfaqen e përfshirë nga flakët apo për shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet vijojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll. 

Lini një koment