Zjarr në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, dëmtohen dhjetëra tregtarë
Një zjarr ka përfshirë pjesërisht tregun e fruta-perimeve me pakicë në Lushnjë gjatë orëve të para të mëngjesit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:30 në pjesën fundore të tregut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe policinë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave emergjente, u bë i mundur izolimi i flakëve dhe shmangia e përhapjes së zjarrit në të gjithë tregun, mbulesa e të cilit është prej materiali plastik dhe shumë lehtësisht i djegshëm.
Si pasojë e flakëve, rreth 25 tregtarë ambulantë kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike, pasi mallrat dhe produktet e vendosura në tezgat brenda tregut janë djegur pothuajse plotësisht.
Sipas burimeve nga vendngjarja, tregu ruhej nga roje private dhe monitorohej me kamera sigurie. Megjithatë, kamerat nuk kanë mundur të fiksojnë autorin ose autorët e mundshëm të ngjarjes. Dyshohet se pamja e tyre është penguar nga çadrat dhe mbulesat që tregtarët përdornin për të mbrojtur mallrat nga reshjet dhe dielli.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet se ai mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Zjarr në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, dëmtohen dhjetëra tregtarë pic.twitter.com/JZcf6ihAk8