E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kronika›Zjarret në Michiganin e Epërm: Craig Lake arrin 57% nën kontroll, Ridge mbetet në 30%

Zjarret në Michiganin e Epërm: Craig Lake arrin 57% nën kontroll, Ridge mbetet në 30%

Tri vatra në perëndim të Gadishullit të Epërm kanë djegur gjithsej mbi 1.450 akra; shiu po ndihmon shuarjen, por terreni i vështirë dhe pemët që rrëzohen pa paralajmërim rrezikojnë ekipet në terren

Përparim i ngadaltë, por i qëndrueshëm po shënohet kundër tri zjarreve pyjore që digjen në perëndim të Gadishullit të Epërm të Michiganit, siç njofton Lansing State Journal duke iu referuar të dhënave më të fundit të Departamentit të Burimeve Natyrore (DNR).

Sipas DNR-së, zjarri pranë Parkut Shtetëror Craig Lake ka djegur 606 akra dhe tani është 57% nën kontroll — përparim i dukshëm krahasuar me raportimin e fundit të shqipdetroit.com më 14 tetor, kur të dy vatra kryesore ishin vetëm 20% nën kontroll. Zjarri Ridge, pranë basenit të lumit Dead River në perëndim të County Road 510, ka djegur 466 akra dhe mbetet 30% nën kontroll, ndërsa zjarri Black River, rreth 4 milje në jug të Wakefield, ka djegur 382 akra dhe është 50% nën kontroll.

Në vatrën Ridge dhe atë të Craig Lake po punojnë 65 zjarrfikës të DNR-së, të koordinuar nga një ekip menaxhimi incidenti prej 20 personash, ndërsa në zjarin Black River ndodheshin të enjten 60 punonjës, ku janë hapur vija me bulldozer përgjatë një pjese të perimetrit jugor. Komandanti i incidentit për DNR-në, Nate Stearns, në deklaratën e 15 tetorit theksoi se siguria e zjarrfikësve mbetet përparësia kryesore gjatë gjithë operacionit.

Shiu i ditëve të fundit ka ndihmuar në qetësimin e flakëve, por sipas raportimit të Lansing State Journal ai ka sjellë edhe vështirësi: shkëmbinj të rrëshqitshëm dhe tokë të butë ku mjetet e rënda rrezikojnë të ngecin. Për shkak të thatësirës, zjarret po digjen deri në rreth 2 këmbë thellësi në shtresën e tokës pyjore, duke dëmtuar rrënjët e pemëve që në pamje duken të shëndetshme — pemë që mund të rrëzohen pa paralajmërim, rrezik që shtohet me erërat e forta të së enjtes dhe të së premtes.

Zjarri i Craig Lake, i shkaktuar nga rrufeja, u zbulua më 8 tetor, ndërsa zjarri Ridge u vu re më 9 tetor dhe shkaku i tij mbetet nën hetim. Kufizimi i përkohshëm i fluturimeve mbi të dy vatra — në rreze 5 milje detare dhe nën 3.500 këmbë — mbetet në fuqi, dhe dronët janë të ndaluar në zonë sepse do të ndalonin operacionet ajrore. DNR-ja ka mbyllur deri në fund të tetorit pjesën veriore të Parkut Shtetëror Craig Lake dhe Teddy Lake Yurt, si dhe shtegun North Country Trail brenda parkut dhe rrjetin e shtigjeve Noquemanon në perëndim të pikënisjes në County Road 510; pjesa tjetër e parkut mbetet e hapur për publikun.

Lini një koment