Zjarri përfshin pyjet e Bulqizës, flakët afrohen drejt Kokërdhakut! Kërkohet ndërhyrje nga ajri
Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë, që prej pasdites së djeshme dhe gjatë ditës së sotme, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në zonën e Bulqizës.
Flakët kanë përfshirë pyjet e njohura si Bataqet e Kacnisë, Pyjet e Thatinës, si dhe pyjet e Livadhit të Madh. Zjarri po përhapet me shpejtësi, duke krijuar një situatë serioze për pyjet, kullotat dhe zonat përreth.
Sipas korrespondentit të Top Channel, Defrim Karaj, flakët po afrohen edhe drejt pyjeve dhe kullotave të fshatit Kokërdhak, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Përballë përmasave të kësaj vatre dhe terrenit të vështirë, kërkohet ndërhyrje emergjente nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe shmangien e një situate edhe më të rënduar.