E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Zvicra investon 5.5 milionë euro në ngrohtoren e Gjakovës, përfundon rehabilitimi i rrjetit

Zvicra investon 5.5 milionë euro në ngrohtoren e Gjakovës, përfundon rehabilitimi i rrjetit

Zvicra ka investuar 5.5 milionë euro në rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit të ngrohjes në Gjakovë, ndërsa projekti është përmbyllur me një ceremoni ku morën pjesë ambasadorja zvicerane në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

Gjatë vizitës në Gjakovë, ambasadorja është pritur nga kryetari i komunës, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në vend, projektet e realizuara në qytet dhe bashkëpunimin ndërmjet Zvicrës dhe Gjakovës.

Investimi prej 5.5 milionë eurosh ka mundësuar rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes, me synimin për të siguruar furnizim më të mirë për qytetarët, shërbime më efikase dhe një sistem më të qëndrueshëm të ngrohjes, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Gjakovës ka falënderuar ambasadoren dhe shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar bashkëpunimin në projektet që kanë ndikuar në zhvillimin e qytetit.

Ngrohtorja e Qytetit është një nga projektet infrastrukturore të mbështetura nga Zvicra, e cila ka qenë partnere në disa procese zhvillimore në komunën e Gjakovës./Telegrafi/

Lini një koment