Zyrtare, qeveria merr vendim, ja sa do të indeksohen pensionet duke nisur nga 1 korriku, kush përfiton
“Pensionet do të indeksohen me 2,7 për qind nga data 1 korrik”. Kështu tha dje ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë të premten. “Miratuam indeksimin e pensioneve për vitin 2026. Një vendim i cili po rikthehet në shtratin që ka pasur”, tha ajo. “Gjatë vitit 2022, duke qenë se indeksuam dy herë pensionet, në prill dhe tetor, kishte mbetur gjithmonë në atë muaj.
Që prej këtij viti, do t’i indeksojmë pensionet me 2,7%. Të gjitha pensionet e pleqërisë, por edhe pensionet e veçanta, apo edhe përfitimet e barrë lindjeve. Janë rreth 900 mijë përfitues”, deklaroi ajo para gazetarëve. Indeksimi konsiderohet kompensim për çmimet e rritura, sidomos gjatë këtij viti ku inflacioni ka kapërcyer 3% për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që solli menjëherë shtrenjtim të karburantit dhe të produkteve të tjera edhe në Shqipëri.
Kjo ishte edhe arsye e indeksimit të pensioneve në korrik dhe jo në muaj tetor, siç ishte bërë traditë prej disa vitesh. Me këtë indeksim prej 2.7% që është 0.2% më i lartë se ai i tetorit të vitit të kaluar (2.5%), pensionet urbane të pleqërisë shtohen mesatarisht me rreth 543 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2025-ës ishte 20,123 lekë.
Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 320 lekë, pasi pensioni mesatar rural në fund të vitit të kaluar ishte 11,878 lekë. Praktikisht me këtë indeksim pensioni urban shkon në 20,666 lekë, dhe ai rural në 12,107 lekë. Ndërkohë ajo është shprehur se janë miratuar 300 kuota për kredi të buta për punonjësit e administratës shtetërore, si edhe disa projektvendime që lidhen drejtë për së drejti me direktivat e BE.
Pjesë nga fjala e Delina Ibrahimajt
“Unë dua ta filloj me një vendim i cili lidhet me pensionistët, ne sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, miratuam indeksimin e pensioneve, për vitin 2026 është një vendim i cili dalë nga dalë po rikthehet në shtratin që ka pasur. Neve gjatë vitit 2022 gjatë krizës energjitike, duke qenë se indeksuam dy herë pensionet, edhe në prill dhe në tetor, kushte mbetur në muajin tetor dhe kishte ndodhur gjithmonë në atë muaj.
Që prej këtij viti që nga data 1 Korrik, ne do të indeksojmë pensionet me 2.7 %, pra të gjitha pensionet e pleqërisë, por edhe pensionet e veçanta apo përfitimet e barrë lindjeve, janë rreth 900 mijë përfitues, të cilët nga data 1 korrik do të kenë të indeksuar aplikimin me 2.7% Ne sot miratuam kuotat për 300 kredi të buta, të cilat do të jepen me normë interesi zero, për disa kategori të punonjësve të administratës publike, ku bëhet fjalë për punonjës të policisë së shtetit të cilët do të kenë 70 kuota, për punonjës të burgjeve të cilët do të kenë 20 kuota, për arsimtarët të cilët do të kenë 70 kuota, për mjekë dhe infermierë të cilët do të kenë 70 kuota, dhe për ushtarakë të cilët po ashtu do të kenë 70 kuota.
Pra në total janë 300 kredi, të cilat do të miratohen, dhe normat e interesit të kredive do të subvencionohen nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër miratuam një numër aktesh, të cilat lidhen me rrugën tonë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Janë dy ligje të rëndësishme, të cilat lidhen dhe janë pjesë e kapitujve mbulues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, që zhvillojnë ekonominë.
Dhe më në detaje kemi miratuar projektligjin për transparencën e emetuesve të titujve, dhe projektligji që ne sot kemi miratuar i cili është 100% si direktivat e BE, përmirëson të gjithë fushën e tregjeve të kapitalit, e cila padiskutim shkon drejt një klime më të mirë biznesi dhe rrit transparencën. Miratuam një tjetër projektligj që lidhet me pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare, lidhet me marrëdhënien që tregtarët kanë me njëri-tjetrin dhe përmes këtij projektligji ka më shumë drejtësi në pagesat e tregtarëve.
Miratuam një projekt vendim i cili rrit transparencën e ndërmarrjeve shtetërore, lihet me detyrimet që ne kemi për reformën e agjendave, një plan i përcaktuar ku kemi detyrime çdo 6 mujor. Në fund fare miratuam një projektvendim që lidhet me trajtimin e studentëve i hapim rrugën programit qeveritar për ushqimin në shkolla”, deklaroi dje ministrja Ibrahimaj.