🔴LIVE/ PS feston 35-vjetorin, Rama: Investimi në Zvërnec është i domosdoshëm, rrjetet sociale kanë keqinformuar qytetarët
Partia Socialiste e Shqipërisë feston sot 35-vjetorin e themelimit me një aktivitet të madh të zhvilluar në Sheshin “Italia” në Tiranë, ku të pranishëm janë anëtarë, simpatizantë dhe drejtues të lartë të partisë.
Në këtë organizim merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, i cili shënon një moment të veçantë për socialistët, duke reflektuar mbi rrugëtimin politik të forcës që ka udhëhequr vendin në disa mandate qeverisëse dhe mbi rolin e saj në konsolidimin e institucioneve demokratike.
Aktiviteti i Partisë Socialiste nis me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi për të vijuar më pas me adresimin e Kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të PS-së, Edi Rama.
I cili gjatë fjalës së tij pritet të përcjellë mesazhe mbi ecurinë e partisë, projektet e saj, si dhe vizionin për të ardhmen, përfshirë objektivin e integrimit europian.
Ky aktivitet vjen pas një turi takimesh në 12 qarqe të vendit, ku janë vlerësuar kontributet e socialistëve të vjetër dhe të rinj gjatë këtyre dekadave.
Në mesazhin e tij të shpërndarë më herët në rrjetet sociale, Rama ka uruar të gjithë anëtarët e PS-së, duke theksuar se partia mbetet e vendosur në misionin e saj historik për të çuar Shqipërinë drejt integrimit europian, me vitin 2030 si pikë kulmore për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai ka nënvizuar se PS është sot një forcë politike moderne, e aftë të përshtatet me sfidat e kohës dhe të udhëheqë reformat e rëndësishme për shtetin ligjor, ekonominë e tregut dhe zhvillimin e vendit.
Rama: Investimi në Zvërnec është i domosdoshëm për ekonominë shqiptare
Në fjalën e tij, Rama iu drejtua themeluesve, përfaqësuesve dhe anëtarëve të partisë duke theksuar rëndësinë e këtij përvjetori dhe duke u ndalur tek debati i fundit mbi projektin e investimit në Zvërnec.
“Të dashur themelues, përfaqësues dhe anëtarë e anëtare të familjes sonë të madhe politike, puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së PS, një masë e madhe njerëzish të dilnin vrullshëm. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë,” tha Rama.
Kryeministri e cilësoi investimin si të domosdoshëm për ekonominë shqiptare, duke theksuar se vlera e tij është më shumë se 1/7 e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
“Ky investim është më shumë se 1/7 e PBB-së së vendit tonë. Vetëm ky projekt është dy herë e gjysmë më shumë se sa stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e kaluar,” u shpreh ai.
Rama akuzoi rrjetet sociale për keqinformim dhe përhapje të gjysmë të vërtetave, duke i cilësuar si “apokalips digjital” që ka nxitur zemërimin e qytetarëve.
“E vërteta është që edhe unë po të isha qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke parë e dëgjuar gjysmë të vërteta të fryra nga lloj-lloj videosh e fotosh – pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi lagunën dhe mbi Sazanin do kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga ky apokalips digjital,” theksoi Rama.
Ai shtoi se anulimi i projektit, siç kërkohet nga protestuesit, do të ishte një gabim i madh dhe një humbje për të ardhmen e Shqipërisë.
“Pa diskutim, anulimi i një projekti kriminal që u trompetua me nota ulëritëse si shitje e ishullit të vetëm të Shqipërisë, si falje e një toke publike, si shkelmim brutal i së drejtës së pronës, do të dukej si gjëja më e pakta që duhet të ndodhte. Por e vërteta është krejt ndryshe,” tha Rama.
Lajmi në zhvilli….