Tuesday, 4 August 2026
54°F Detroit
BallinaKosova17 vjeçarja Era Berani nga SHBA, nihmon personat me aftësi të kufizuara të HANDIKOS-it

17 vjeçarja Era Berani nga SHBA, nihmon personat me aftësi të kufizuara të HANDIKOS-it

Humanizmi dhe solidariteti nuk njohin moshë apo kufij. Këtë e dëshmon 17-vjeçarja Era Berani, e lindur dhe e rritur në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, e cila prej vitesh angazhohet në aktivitete humanitare dhe në shërbim të komunitetit.

Berani, nxënëse në Los Alamitos High School, ka organizuar ndër vite fushata për mbledhjen e fondeve, lodrave, ushqimeve dhe mjeteve shkollore, të dedikuara për fëmijë, familje në nevojë, spitale dhe organizata bamirëse.

Përmes organizatës së saj jofitimprurëse dhe klubit “Bright Hearts Club”, ajo ka angazhuar dhe frymëzuar edhe të rinj të tjerë për t’iu bashkuar aktiviteteve në shërbim të komunitetit.

Në kuadër të kësaj veprimtarie, Era dhe “Bright Hearts Club” kanë arritur të mbledhin fonde, të cilat 17-vjeçarja ka vendosur t’i dhurojë në Kosovë për personat me aftësi të kufizuara, përmes organizatës HANDIKOS.

Ky kontribut vjen edhe si dëshmi e lidhjes së saj me Kosovën dhe rrënjët familjare, pavarësisht se është lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara.

Për përkushtimin e saj në fushën e humanizmit, lidershipit dhe shërbimit ndaj komunitetit, Berani është nderuar me çmime dhe mirënjohje të ndryshme.

Ajo ka marrë vlerësime nga Senati i Shtetit të Kalifornisë, anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Asambleja e Kalifornisë, si dhe nga kryetarët e bashkive të Los Alamitos dhe Long Beach.

Veprimtaria e 17-vjeçares paraqet një shembull të angazhimit qytetar dhe humanitar të të rinjve, duke dëshmuar se solidariteti dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët mund të kapërcejnë kufijtë gjeografikë.

Kontributi i saj për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë synon të sjellë mbështetje për ata që kanë nevojë, ndërsa njëkohësisht përcjell mesazhin se edhe një iniciativë e nisur nga një i ri mund të ketë ndikim në komunitet. /Telegrafi/

Lini një koment