Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia34 vatra zjarri në 24 orë, 5 mbeten aktive! Fokusi te Mali i Dajtit

34 vatra zjarri në 24 orë, 5 mbeten aktive! Fokusi te Mali i Dajtit

34 vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën monitorim.

Në përballimin e situatës janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Fokusi kryesor i operacioneve mbetet Mali i Dajtit, ku zjarret vijojnë të jenë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës.

Operacioni është duke vijuar edhe sot, me përforcimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura. Në terren janë angazhuar gjithashtu forcat zjarrfikëse dhe strukturat e ADZM-së, ndërsa ndërhyrja nga ajri është realizuar me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Dibrës vijojnë aktive dy vatra zjarri. E para ndodhet në Ballenjë–Kostenjë, ku operacioni vijon me 6 forca të AZM Dibër.

Vatra tjetër ndodhet në Qafë të Helmës, Bulqizë, dhe po mbahet nën monitorim. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun e Elbasanit vijojnë aktive zjarret në Malin e Dardhës, Librazhd, ku është shënuar riaktivizim. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd.

Një tjetër vatër aktive raportohet në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku gjithashtu është konstatuar riaktivizim. Autoritetet bëjnë me dije se asnjë nga këto vatra nuk rrezikon zonat e banuara.

Situata paraqitet më e qetë në qarkun e Shkodrës, në Pukë, ku në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive.

Megjithatë, këto zona vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje për shkak të mundësisë së riaktivizimit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Lini një koment