E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›371 kandidatë i nënshtrohen testit për 34 pozita të prokurorëve të rinj në Kosovë

371 kandidatë i nënshtrohen testit për 34 pozita të prokurorëve të rinj në Kosovë

Sistemi Prokurorial ka njoftuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin kualifikues për 371 kandidatë që konkurrojnë për 34 pozita të prokurorëve të rinj të shtetit.

Testimi është mbajtur të shtunën, më 7 nëntor, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Sipas njoftimit, nga 371 kandidatët që iu nënshtruan testit, 174 janë femra dhe 197 meshkuj. Nga 34 pozitat e parapara, 10 janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa prokurorët e rinj do të emërohen në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

KPK ka bërë të ditur se procesi i hartimit dhe administrimit të testit është zhvilluar duke respektuar parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve. Pyetjet janë hartuar në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë.

Procesi është mbikëqyrur nga kryetari i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.

Mbarëvajtja e testimit është përcjellë edhe nga përfaqësues të EULEX-it, OSBE-së dhe organizatës AVONET.

Pas përfundimit të testit kualifikues, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin që procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë. /Telegrafi/

Lini një koment