54-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë, nga 20 nëntori deri më 25 nëntor të vitit 1972.
Akademia e Shkencave e konsideron si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe shkencore të shqiptarëve. Kongresi shënoi përmbylljen e një procesi të gjatë përpjekjesh për njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Ai vendosi themelet e normës drejtshkrimore që vazhdon të shërbejë si bazë e komunikimit publik, arsimit, botimeve dhe veprimtarisë shkencore në gjuhën shqipe.
Rruga drejt njësimit të shqipes kishte nisur shumë më herët. Që në kohën e Rilindjes Kombëtare, intelektualët shqiptarë e kuptuan se një gjuhë e përbashkët letrare përbënte një nga kushtet themelore të formimit dhe forcimit të identitetit kombëtar. Kongresi nuk ishte një ngjarje e izoluar e vitit 1972, por kulmimi i një procesi që filloi me Kongresin e Manastirit dhe përpjekjet për afrimin e varianteve letrare të shqipes gjatë gjithë shekullit XX përmes punës së gjuhëtarëve, shkrimtarëve, arsimtarëve dhe institucioneve shkencore e arsimore shqiptare.
Në këtë traditë u mbështet edhe Kongresi i Drejtshkrimit, i cili u thirr pas një diskutimi të gjerë shkencor të nisur në vitin 1967 me botimin e projektit “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe komunitetet arbëreshe të Italisë, duke i dhënë këtij tubimi karakter të mirëfilltë mbarëkombëtar. Krahas gjuhëtarëve dhe studiuesve, në të morën pjesë pedagogë universitarë, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues dhe veprimtarë të arsimit e kulturës.
Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një ndër ngjarjet më domethënëse në historinë e kulturës shqiptare. Ai përfaqëson kurorëzimin e përpjekjeve të brezave të gjuhëtarëve dhe intelektualëve për ndërtimin e një norme të përbashkët gjuhësore, duke dhënë një kontribut të vyer në forcimin e unitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve kudo ku jetojnë.