E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›“Next Generation 2.0”, tri ditë aktivitete rinore në Tropojë

“Next Generation 2.0”, tri ditë aktivitete rinore në Tropojë

Në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri–Kosovë 2026, aktiviteti “Next Generation 2.0” sjell në Tropojë tri ditë plot art, muzikë, kulturë dhe energji rinore, me forume të muzikës dhe industrive kreative, ekspozita, market arti e dizajni dhe performanca artistike.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se aktiviteti me në qendër të rinjtë, do të jetë një hapësirë për të shprehur idetë, për të promovuar talentet, për të diskutuar sfidat e industrive kreative dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Next Generation 2.0” ka në program performanca nga artistë të mirënjohur shqiptarë si: Rovena Dilo, Alis Kallaci, Troja Bicurri, Cirku Kombëtar dhe Grupin e Valleve Dardania-Tropojë.

“Next Generation 2.0” është pjesë e 45 aktiviteteve të programuara në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare, që zhvillohet nga 19 nëntori deri më 6 dhjetor. Përveç performancave artistike, pjesëmarrësit në këtë aktivitet do të zbulojnë historinë dhe traditën e zonës përmes një vizite në Kullën Muze të Mic Sokolit në fshatin Bujan. E ndërtuar në shekullin XVIII, kjo kullë trekatëshe (Monument Kulture i Kategorisë I) dëshmon arkitekturën dhe jetesën tradicionale të Malësisë së Gjakovës. Përmes “odës së miqve”, rrëfimeve familjare dhe mikpritjes unike, vizitorët nuk do ta lexojnë thjesht historinë, por do ta përjetojnë nga afër identitetin kulturor të Tropojës.

Lini një koment