Saturday, 15 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia8 vatra zjarri aktive në vend, vijon operacioni i forcave në disa qarqe

8 vatra zjarri aktive në vend, vijon operacioni i forcave në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në vend, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Në menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Dajt, Tiranë

Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon operacioni për shuarjen e zjarrit. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.

Krujë

Në Krujë vijon puna në vatrat e zjarrit në Abazë dhe Zidoll. Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës.

Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.

Gurë-Lurë, Dibër

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e flakëve drejt banesave.

Operacioni vijon sot me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë

Në Qafë Helmes dhe në aksin Bulqizë-Selishtë vijojnë operacionet për përballimin e situatës, me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Sipas autoriteteve, në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Vatra të tjera aktive

Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku zjarret janë shuar plotësisht falë ndërhyrjes së forcave operacionale.

AKMC vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të të gjitha vatrave aktive.

Lini një koment