Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorVlahovic i thotë “lamtumirë” Juventusit, ja ku do luajë tani! Mesazhi për tifozët: Do jeni gjithnjë pjesë e imja!

Vlahovic i thotë “lamtumirë” Juventusit, ja ku do luajë tani! Mesazhi për tifozët: Do jeni gjithnjë pjesë e imja!

Sulmuesi Dusan Vlahovic është zyrtarisht futbollist i Beshiktasit në Turqi.

Sulmuesi serb, pas përfundimit të aventurës me Juventusin, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin turk, ku do të përfitojë 7.5 milionë euro në sezon.

Sipas raportimeve, Vlahovic ka marrë gjithashtu rreth 10 milionë euro bonus në momentin e firmës.

26-vjeçari kishte pritur ofertën e një klubi të madh europian, por në fund zgjodhi Turqinë. Një rol të rëndësishëm në transferim ka luajtur edhe trajneri Vincenzo Italiano, i cili e kërkoi me insistim sulmuesin.

Vlahovic kishte mbërritur në Stamboll mes entuziazmit të madh të tifozëve të Besiktasit dhe pasi kaloi me sukses testet mjekësore, transferimi u bë zyrtar.

Pas largimit nga Torino, sulmuesi serb i ka dhënë edhe lamtumirën Juventusit me një mesazh emocionues në rrjetet sociale.

Mesazhi i Vlahovic:

“Ka momente kur është e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Dhe ky është një prej tyre. Kur mbërrita në Torino kisha një ëndërr të madhe, shumë dëshirë për të treguar se kush isha dhe krenarinë për të veshur një fanellë që mbart një histori të jashtëzakonshme.

Rrugëtimi im me Juventusin përfundon.

Kanë qenë vite intensive. Vite me fitore, gola, gëzime të mëdha, por edhe momente të vështira. Gjithmonë jam përpjekur të jap gjithçka nga vetja, sa herë kam zbritur në fushë. Sepse të veshësh këtë fanellë do të thotë të mbash mbi supe historinë e futbollit italian dhe për këtë do të jem gjithmonë mirënjohës.

Dua të falënderoj Juventusin, Andrea Agnellin, John Elkann dhe të gjithë familjen e klubit, të gjithë njerëzit që punojnë çdo ditë në prapaskenë, trajnerët e mi dhe mbi të gjitha shokët e skuadrës. Kemi ndarë shumë më tepër se 90 minuta në një fushë futbolli. Disa momente do të mbeten me mua për gjithë jetën.

Faleminderit Torino, një qytet që më priti dhe që për mua u bë shtëpi. Këtu u rrita, jo vetëm si futbollist, por mbi të gjitha si njeri.

Dhe faleminderit ju, tifozë të Juventusit. Çdo kor, çdo fëmijë me fanellën time, çdo festim, çdo përqafim pas një goli: janë imazhe që do t’i mbaj me vete kudo që të shkoj.

Në futboll rrugët ndryshojnë, por ajo që kemi përjetuar nuk fshihet.

Largohen nga Torino me shumë kujtime, mirënjohje dhe me bindjen se kam lënë këtu një pjesë të vetes.

Erdha me dëshirën për t’u bërë pjesë e historisë së Juventusit. Largohem duke e ditur se Juventusi do të jetë përgjithmonë pjesë e imja.

Faleminderit, Juve.

Faleminderit, Torino.

Faleminderit të gjithëve.

Dusan”

Lini një koment