Wednesday, 28 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kampionati boteror›Tragjedia hekurudhore në Spanjë, Federata e Futbollit merr vendimin e papritur, shtyhen 24 ndeshje të Kupës së Mbretit!

Tragjedia hekurudhore në Spanjë, Federata e Futbollit merr vendimin e papritur, shtyhen 24 ndeshje të Kupës së Mbretit!

Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të shtyjë të gjitha 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit, të planifikuara për t’u zhvilluar këtë të mërkurë në Spanjë.

Vendimi është marrë pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë në provincën e Toledos, një ngjarje tragjike që ka tronditur vendin.

Sipas federatës, shtyrja e ndeshjeve të planifikuara gjatë ditës dhe në mbrëmje është një shenjë respekti dhe solidariteti me viktimat e aksidentit dhe familjet e tyre. RFEF ka bërë të ditur se datat e reja të zhvillimit të takimeve dhe oraret përfundimtare do të njoftohen në ditët në vijim.

Mes skuadrave që pritej të nisnin rrugëtimin në këtë edicion të Kupës së Mbretit ishin edhe ekipet e La Ligës, si Valencia, Celta Vigo dhe Real Betis. Ndërkohë, Real Madrid dhe Barcelona do të hyjnë në garë në muajin dhjetor, duke nisur nga faza e 1/16-ve, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Superkupën e Spanjës.

Aksidenti hekurudhor ndodhi pak pas orës 09:00, mes qyteteve Mora dhe Orgaz, në provincën e Toledos. Në përplasjen e rëndë u përfshinë dy trena me shpejtësi të lartë, të kompanive Renfe dhe Iryo, të cilët udhëtonin nga Madridi drejt Seviljes. Në të dy trenat ndodheshin gjithsej 544 persona.

Sipas një përfaqësuesi të autoriteteve të komunitetit autonom të Kastiljes-La Mançës, nga aksidenti dolën nga shinat dy vagona. Në kohën e raportimit, të paktën 46 persona dyshohej se kishin humbur jetën, ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritej.

Pas tragjedisë, Real Madrid dhe Atletico Madrid shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, të plagosurit dhe të gjithë personat e prekur nga kjo ngjarje e rëndë.

Lini një koment