Mickoski në Pustec, pa himn shqiptar! Rama: Nuk ka mushkë Troje që na lëkund! Keqardhje për sponsorët e cirkut…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas aktivitetit kulturor të zhvilluar një ditë më pare (20 gusht) në Pustec, ku gjatë ceremonisë u ekzekutua vetëm Himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Himni Kombëtar Shqiptar nuk u luajt.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Rama e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse”. Sipas kryeministrit, kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në aktivitet të luhej edhe Himni Kombëtar Shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Më pas, Kolefski kishte kërkuar ndjesë, edhe pse, sipas Ramës, përgjegjësia nuk ishte e tij.
Rama e vlerësoi qëndrimin e kryebashkiakut si atë të një “shtetari dhe qytetari të denjë të Shqipërisë Europiane”, duke theksuar rëndësinë që qeveria i jep komunitetit maqedonas në Shqipëri.
Kryeministri tha se minoritetet në Shqipëri nuk trajtohen si statistikë, por si “pasuri kombëtare”, ndërsa qytetarët që u përkasin komuniteteve minoritare, sipas tij, kanë të njëjtat të drejta dhe liri si çdo qytetar tjetër.
Rama kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si ndërhyrje të herëpashershme të “nacional-folklorizmit ballkanik” në territorin shqiptar, duke argumentuar se këto episode nuk përbëjnë kërcënim për sovranitetin e vendit apo për ekuilibrat e jetës politike shqiptare.
Më tej, Rama u bëri thirrje shqiptarëve që të mos përgjigjen me të njëjtën monedhë ndaj incidenteve të tilla.
“Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, shkruan kryeministri.
Më herët reagoi dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e cila ndërsa shprehu keqardhjen mbi ndodhinë, deklaroi se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike.
Postimi i plotë:
Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.
Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne. Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.
Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.