Futbollisti 25-vjeçar rrëzohet pa ndjenja gjatë ndeshjes, ndërron jetë në spital
Futbollisti portugez, 25-vjeçari Quevin Castro humbi jetën pasi u rrëzua pa ndjenja gjatë një ndeshjeje miqësore.
Futbollisti i Real Sport Clube u ndje keq vetëm 10 minuta pas nisjes së takimit ndaj Estrela da Amadora, të zhvilluar të shtunën në stadiumin “Estádio das Seixas”, në Malveira.
Castro u rrëzua në fushë dhehumbi ndjenjat, duke alarmuar menjëherë stafet e të dyja skuadrave.
Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë dhe përdorën edhe defibrilatorin, ndërsa në stadium mbërriti shërbimi portugez i urgjencës mjekësore, INEM. 25-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai nuk mundi të mbijetojë.

Castro ishte pjesë e Real SC, klub që militon në kategorinë e katërt të futbollit portugez. Ai iu bashkua skuadrës këtë sezon, pas një eksperience në Angli me Eastbourne Borough.