Thursday, 27 August 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorEgnatia humbet në shtesë dhe i jep lamtumirën Europa League, Lilestromi përmbys rrogozhinasit në fund

Egnatia humbet në shtesë dhe i jep lamtumirën Europa League, Lilestromi përmbys rrogozhinasit në fund

Egnatia ishte shumë pranë kualifikimit historik në Ligën e Europës, por ëndrra u shua në minutat e shtesës. Rrogozhinasit u mposhtën 2-1 nga Lilestromi në Norvegji, pas një ndeshjeje që përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe u vendos vetëm pas 30 minutave shtesë.

Egnatia e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kaloi në avantazh në minutën e 33-të. Pas një krosimi të Fernando Medeiros nga goditja e këndit, Eljon Sota u shkëput bukur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 0-1 të Egnatias, ndërsa skuadra shqiptare vijoi të ishte më kërkuese edhe pas pushimit.

Në minutën e 62-të, Alesandro Albaneze provoi të befasonte portierin kundërshtar me një goditje spektakolare nga distanca, por topi përfundoi jashtë. Sulmuesi provoi sërish në minutën e 75-të, por këtë herë portieri i Lilestromit u tregua i vëmendshëm dhe devijoi goditjen.

Kur Egnatia dukej se po i afrohej gjithnjë e më shumë kualifikimit, vendasit gjetën barazimin në minutën e 82-të. Sandër Fos shënoi për 1-1 pas asistit të Ylldren Ibrahimajt, duke e dërguar sfidën në kohën shtesë.

Dhe pikërisht aty erdhi goditja fatale për skuadrën e Edlir Tetovës. Vetëm katër minuta pas nisjes së shtesës, Tomas Olsen shënoi golin e përmbysjes për Lilestromin, duke përfituar nga një krosim në zonë i Seund Akanzhi.

Egnatia tentoi të reagonte, por rezultati nuk ndryshoi më. Lilestromi fitoi 2-1 dhe i dha fund ëndrrës së rrogozhinasve për një vend në Ligën e Europës.

Megjithatë, aventura europiane e Egnatias nuk përfundon këtu. Kampionët e Shqipërisë do të vijojnë rrugëtimin në Ligën e Konferencës, ku do të mësojnë nesër edhe kundërshtarin e tyre.

Lini një koment