Sherri mes fëmijëve në Korçë përshkallëzohet në përleshje me lopata mes fqinjëve, dy persona përfundojnë në spital (VIDEO)
Një konflikt me lopata dhe mjete të tjera të forta ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në lagjen nr. 8 të qytetit të Korçës, në rrugën “Viktimat e Ravonikut”.
Ngjarja ka ndodhur pas një grindje mes fëmijësh e cila është përshkallëzuar në një konflikt mes fqinjëve.
Nga burime nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se pas grindjes mes fëmijëve, fqinjët e rritur e kanë vijuar konfliktin, i cili më pas ka marrë përmasa masive, duke përdorur edhe lopata dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e përleshjes, dy persona kanë përfunduar në Spitalin Rajonal të Korçës me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjatë konfliktit është dëmtuar edhe automjeti i njërit prej familjarëve të përfshirë në sherr.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar disa persona në ambientet e Komisariatit të Korçës, ku po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.