Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare Albert Karriqi
Sporti shqiptar është përfshirë nga dhimbja pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe atletit të njohur Albert Karriqi, në moshën 75-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga të afërm dhe miq të Karriqit, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e sportit shqiptar, si në aspektin akademik, ashtu edhe në atë sportiv.
Albert Karriqi ishte profesor në Institutin e Kërkimit Shkencor të Sportit dhe atlet kampion i klubit “Tirana”. Ai ishte i specializuar në Teorinë dhe Metodologjinë e Stërvitjes Sportive, si dhe në Filozofinë e Sportit.
Përtej veprimtarisë akademike dhe sportive, Karriqi ishte një figurë e njohur edhe për publikun e gjerë shqiptar. Ai ishte i pranishëm shpesh si analist dhe komentator i ftuar në panele televizive sportive, veçanërisht gjatë zhvillimeve dhe ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.
Sipas informacioneve të bëra publike, Albert Karriqi ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Karriqi ka pasur gjithashtu një angazhim në jetën politike të vendit. Ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e vitit 1991.
Për kontributin e tij në Lëvizjen Olimpike dhe Sportive shqiptare, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka nderuar me “Urdhrin Olimpik”.
Ndarja nga jeta e Albert Karriqit shënon humbjen e një prej figurave të spikatura të sportit shqiptar, i cili ndër vite kontribuoi në edukimin, zhvillimin dhe promovimin e sportit në vend.