Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Intervista›Nevrus Nazarko: Më pak politikë nga Tirana, më shumë fuqi shqiptare në Michigan

Nevrus Nazarko: Më pak politikë nga Tirana, më shumë fuqi shqiptare në Michigan

Intervistë me Nevrus Nazarko

Zoti Nazarko, prej shumë vitesh jetoni dhe punoni në Michigan. Si do ta përshkruanit rrugën tuaj nga ardhja në Shtetet e Bashkuara deri te krijimi i një karriere profesionale këtu?

Ne rradhe te pare faleminderit portalit tuaj per mundesine per t’u shprehur modestisht per jeten time personale dhe disa mendime ne lidhje me komunitetin tone ne emigracion. Rruga ime në Shtetet e Bashkuara ka shume ngjashmeri me shumicen e emigranteve, një rrugë pune, përshtatjeje dhe përpjekjeje të vazhdueshme. Kur vjen në një vend të ri, nuk mjafton ajo që di apo ajo që ke bërë më parë. Duhet të kuptosh një sistem të ri, të fitosh besimin e njerëzve dhe ta ndërtosh reputacionin hap pas hapi. Ah, ne se flasim per rrugen deri ne SHBA, eshte nje teme tjeter dhe pak me e gjere, keshtu do ja leme nje interviste tjeter.

Me kalimin e viteve, pas perfundimit me sukses te studimeve bachelor dhe master,  ndërtova një karrierë në financë dhe kontabilitet, mora kualifikimet CPA dhe MBA dhe pata mundësinë të punoj si në sektorin privat, ashtu edhe në administratën publike. Për rreth shtatë vjet e gjysmë shërbej si drejtues financiar i disa prej departamenteve ne qytetin e Detroit, dhe para ketyre, si drejtues financiar ne tre bashki te ndryshme ketu ne Michigan. Paralelisht, prej vitesh jap mësim në University of Michigan–Dearborn.

Kur e shoh sot këtë rrugëtim, kënaqësia më e madhe nuk vjen vetëm nga titujt profesionalë, por nga fakti se kam pasur mundësi të kontribuoj në institucione te jem pjese e ketij komuniteti, dhe ku mund të ndihmoj njerëz.

 

Ne nje dite leksioni

Ju keni punuar si në sektorin privat, ashtu edhe në administratën publike amerikane. Çfarë ju ka mësuar kjo?

Sektori privat të mëson të jesh i shpejtë, praktik dhe i përgjegjshëm ndaj klientit. Në administratën publike përgjegjësia është edhe më e gjerë, sepse çdo vendim financiar lidhet me paratë e taksapaguesve dhe me besimin e publikut.

Institucionet amerikane nuk janë të përsosura, por kanë mekanizma kontrolli dhe llogaridhënieje që janë shumë të rëndësishëm. Kam parë se një emigrant mund të bëhet pjesë e këtyre institucioneve dhe të arrijë edhe në role drejtuese. Por kjo kërkon arsimim, profesionalizëm, durim dhe gatishmëri për ta provuar veten çdo ditë.

Mundësia ekziston, por nuk vjen vetë. Duhet kërkuar dhe merituar, por ndonjehere edhe eshte mire te jesh ne kohen e duhur dhe ne vendin e duhur,pse jo edhe te kesh nje network te gjere dhe me lidhje.

Cilat janë ndryshimet më të mëdha midis brezit që erdhi 20 apo 30 vjet më parë dhe brezit që po rritet sot në Amerikë?

Brezi i parë ishte i përqendruar kryesisht te sistemimi i familjes dhe krijimi i sigurisë ekonomike. Fillimisht ky brez, pra neve,  punuam jashtëzakonisht fort, shpesh në punë që nuk kishin lidhje me profesionin ose arsimin që kishim pasur në Shqipëri.

Brezi që po rritet sot këtu nuk ka të njëjtat pengesa. E njeh gjuhën, sistemin arsimor dhe kulturën amerikane. Për këtë arsye, mundësitë për të hyrë në profesione, universitete, institucione dhe politikë janë jo vetem shume me te medha, por edhe me te lehta.

Nga ana tjetër, lidhja e këtij brezi me gjuhën dhe kulturën shqiptare nuk është aq automatike sa ishte për prindërit. Pyetja eshte, si të ruhet kjo lidhje pa u kërkuar të rinjve të jetojnë me mendësinë e brezit që u largua nga Shqipëria shumë vite më parë.

Si e shihni sot komunitetin shqiptar në Michigan? A kemi kaluar nga një komunitet emigrantësh në një komunitet shqiptaro-amerikan të konsoliduar?

Mendoj se kemi bërë një pjesë të madhe të këtij kalimi. Sot kemi biznese të qëndrueshme, profesionistë të suksesshëm, institucione fetare, shoqata dhe familje që janë në brezin e dytë apo të tretë në Amerikë.

Por një komunitet i konsoliduar nuk matet vetëm me numrin e bizneseve, kishave, xhamive apo aktiviteteve. Matet edhe me praninë e tij në administratë, universitete, borde, media dhe institucione të tjera ku merren vendime.

Kemi dalë nga faza e mbijetesës si komunitet emigrantësh. Tani ka ardhur koha të kalojmë në fazën e organizimit dhe të ndikimit si komunitet shqiptaro-amerikan.

Cilat janë pikat më të forta të komunitetit tonë dhe ku vazhdojmë të kemi dobësi?

Forca jonë më e madhe është puna. Shqiptarët njihen si njerëz punëtorë, me lidhje të forta familjare dhe me shpirt sipërmarrës. Në një periudhë relativisht të shkurtër kemi krijuar biznese, prona dhe karriera të suksesshme.

Dobësia jonë është se suksesin individual nuk kemi arritur gjithmonë ta kthejmë në forcë të organizuar të komunitetit. Kemi shumë individë të suksesshëm, por më pak institucione që funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe që nuk varen vetëm nga një apo dy persona.

Mobilizohemi shpejt për një ngjarje ose emergjencë. Ajo që na mungon ndonjëherë është vazhdimësia pasi ngjarja ka përfunduar.

Sa është integruar shqiptari i Michiganit në jetën amerikane përtej punës dhe biznesit?

Me bashkeshorten Klodiana Nazarko

Integrimi ekonomik ka ecur më shpejt se integrimi qytetar dhe institucional. Shqiptarët kanë krijuar shumë biznese dhe karriera të suksesshme, por prania jonë në bordet e shkollave, administratën vendore, komisionet publike dhe organizatat qytetare mbetet më e kufizuar.

Ne nuk duhet të kënaqemi vetëm me suksesin në punë ose biznes. Duhet të jemi të pranishëm edhe atje ku diskutohen politikat dhe ku merren vendimet që ndikojnë familjet tona.

Kjo nuk do të thotë të humbasim identitetin shqiptar. Përkundrazi, sa më aktivë të jemi në jetën amerikane, aq më mirë mund ta përfaqësojmë edhe komunitetin tonë.

A mendoni se suksesi ekonomik i shqiptarëve është shoqëruar me të njëjtin nivel përfaqësimi në institucionet amerikane?

Jo, të paktën jo ende. Suksesi ekonomik i komunitetit është shumë më i dukshëm se përfaqësimi ynë institucional dhe politik.

Kemi shumë sipërmarrës dhe profesionistë të suksesshëm, por na duhen më shumë shqiptaro-amerikanë në administratë, universitete, media, borde publike dhe poste të zgjedhura.

Përfaqësimi nuk vjen vetvetiu pasi arrin sukses ekonomik. Ai kërkon një përpjekje tjetër: identifikimin e njerëzve të aftë, përgatitjen e tyre dhe mbështetjen konkrete kur vendosin të hyjnë në shërbimin publik.

Çfarë duhet të bëjë komuniteti që të rinjtë të ruajnë lidhjen me identitetin shqiptar pa u izoluar nga shoqëria amerikane?

Nje pyetje paksa e veshtire, por mendoj se të rinjtë nuk ka pse te vendosen përpara zgjedhjes nëse janë shqiptarë apo amerikanë. Ata mund të jenë të dyja dhe kjo është një pasuri.

Gjuha, kultura dhe historia duhet t’u përcillen në një mënyrë që krijon krenari dhe interes, jo si një detyrim i shoqëruar me faj. Njëkohësisht, duhet t’i inkurajojmë të përfshihen plotësisht në shkollë, në profesion dhe në jetën qytetare amerikane.

Qëllimi nuk është të krijojmë një komunitet të izoluar. Qëllimi është të rrisim qytetarë amerikanë të suksesshëm, të cilët e njohin dhe e respektojnë prejardhjen e tyre shqiptare.

A është më e rëndësishme që brezi i ri të flasë shqip, të njohë historinë dhe kulturën apo të përfshihet në organizatat e komunitetit?

Të treja janë të rëndësishme dhe lidhen me njëra-tjetrën. Gjuha krijon lidhjen më të drejtpërdrejtë me familjen dhe kulturën. Historia i ndihmon të rinjtë të kuptojnë prejardhjen e tyre, ndërsa pjesëmarrja në komunitet e bën këtë identitet pjesë të jetës së përditshme.

Përparësia, sipas meje, është të krijojmë te të rinjtë një ndjenjë të vërtetë përkatësie. Nëse ata e ndiejnë komunitetin si të tyrin, do të kenë më shumë interes edhe për gjuhën, historinë dhe organizatat.

Kjo nuk mund të arrihet vetëm duke u thënë se çfarë duhet të bëjnë, por  t’u japim edhe një arsye për t’u afruar.

Si kanë ndryshuar marrëdhëniet e shqiptaro-amerikanëve me Shqipërinë gjatë viteve?

Ne shtepi, pas pune.

Për brezin e parë, Shqipëria mbetet një lidhje e drejtpërdrejtë: familja, kujtimet, gjuha dhe përvojat personale. Për të rinjtë e lindur ose të rritur në Amerikë, lidhja është më shumë kulturore dhe emocionale.

Kjo është diçka normale dhe nuk mund të presim që një i ri i lindur në Michigan ta përjetojë Shqipërinë në të njëjtën mënyrë si prindërit apo gjyshërit e tij.

Roli ynë është t’u krijojmë mundësi ta njohin vetë Shqipërinë, përmes udhëtimeve, kulturës, historisë, studimeve dhe lidhjeve profesionale. Lidhja e tyre mund të jetë ndryshe nga e jona, por nuk do të thotë se është më pak e vlefshme.

Sa duhet të përfshihet diaspora shqiptare në zhvillimet politike të Shqipërisë?

Diaspora ka të drejtë të interesohet dhe të shprehet për zhvillimet në Shqipëri. Shumë prej nesh kanë familje, prona, investime dhe një lidhje të fortë emocionale me vendin.

Por angazhimi ynë nuk duhet të kufizohet te mbështetja e një partie apo politikani. Diaspora duhet të mbrojë disa parime bazë, pavarësisht se kush është në pushtet: shtetin ligjor, zgjedhjet e lira, luftën kundër korrupsionit dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë vendin ku jetojmë. Sa më të organizuar dhe me ndikim të jemi në Amerikë, aq më shumë peshë do të ketë edhe fjala jonë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Sa e dëmtojnë komunitetin ndarjet politike të importuara nga Shqipëria?

E dëmtojnë shumë kur bëhen pengesë për bashkëpunimin tonë këtu. Edhe pse eshtë krejt normale që njerëzit të kenë bindje të ndryshme politike,  nuk është normale që çdo aktivitet, organizatë apo miqësi të ndahet sipas vijave partiake të Tiranës.

Ne jetojmë në Michigan dhe kemi interesa të përbashkëta: arsimin e fëmijëve, zhvillimin ekonomik, sigurinë, përfaqësimin institucional dhe mbështetjen e interesave shqiptare.

Mund të mos mendojmë njësoj për qeverinë ose opozitën në Shqipëri, por kjo nuk duhet të na pengojë të punojmë së bashku në Amerikë. Pjekuria e një komuniteti duket edhe te mënyra si menaxhon mosmarrëveshjet.

Çfarë marrëdhënieje duhet të ketë komuniteti shqiptaro-amerikan me qeverinë dhe institucionet e Shqipërisë?

Nje marrëdhënia institucionale dhe e pavarur nga partitë. Komuniteti mund dhe duhet të bashkëpunojë me shtetin shqiptar, ambasadën dhe përfaqësitë konsullore, pavarësisht se cila parti është në pushtet.

Por bashkëpunimi nuk do të thotë që diaspora të përdoret si dekor politik apo si sallë duartrokitësish gjatë vizitave zyrtare. Ne duhet të konsiderohemi partnerë dhe të kemi të drejtën të bëjmë edhe pyetje kritike.

Diaspora ka nevojë për shërbime konsullore cilësore, siguri për pronën dhe investimet dhe politika serioze për ruajtjen e gjuhës e kulturës. Marrëdhënia duhet të ndërtohet rreth këtyre interesave konkrete

A mendoni se komuniteti shqiptaro-amerikan e ka kuptuar peshën që mund të ketë politikisht në Michigan?

Mendoj se ka filluar ta kuptojë, por ende nuk e ka shndërruar plotësisht këtë potencial në ndikim të organizuar.

Michigan është një shtet ku shumë zgjedhje vendosen me diferenca të vogla. Një komunitet që regjistrohet, informohet dhe voton rregullisht mund të ketë peshë më të madhe sesa mund të tregojë vetëm numri i tij.

Ndikimi politik nuk matet me sa njerëz marrin pjesë në një darkë elektorale apo bëjnë fotografi me një kandidat. Matet me pjesëmarrjen në zgjedhje, kontaktet e vazhdueshme me zyrtarët dhe aftësinë për të paraqitur kërkesa të qarta e të arsyeshme.

A votojnë shqiptarët sipas bindjeve amerikane apo ndikohen edhe nga qëndrimet ndaj Shqipërisë dhe Kosovës?

Shqiptaro-amerikanët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si një bllok i vetëm politik. Mendoj se ata votojnë sipas bindjeve dhe interesave të tyre: ekonomisë, taksave, arsimit, sigurisë, emigracionit dhe shumë çështjeve të tjera të debatit amerikan.

Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë rëndësi, sidomos për brezin e parë dhe në periudha kur ka zhvillime të rëndësishme në rajon.

Besoj se te brezat e rinj vota do të përcaktohet gjithnjë e më shumë nga çështjet e brendshme amerikane. Megjithatë, një kandidat që i njeh dhe i respekton interesat shqiptare natyrisht do të tërheqë vëmendjen e komunitetit.

A duhet komuniteti të ndërtojë marrëdhënie me të dyja partitë e mëdha amerikane?

Patjetër. Individët janë të lirë të jenë demokratë, republikanë, të pavarur apo të mos kenë fare përkatësi partiake. Por organizatat e komunitetit  eshte e nevojshme të ndërtojnë marrëdhënie me të dyja partitë.

Çështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara kanë përfituar historikisht nga mbështetja dypartiake. Kjo është një vlerë që duhet ruajtur.

Nëse një komunitet lidhet plotësisht me vetëm njërën parti, rrezikon të humbasë ndikimin kur ajo parti nuk është në pushtet. Marrëdhëniet duhet të ndërtohen rreth interesave afatgjata dhe jo rreth emocioneve të një fushate të vetme.

Cilat çështje duhet ta interesojnë më shumë një votues shqiptaro-amerikan në Michigan?

Une, per shembull si votues, shoh tërësinë e programit dhe karakterin e kandidatit. Ekonomia, taksat, arsimi, siguria publike, kujdesi shëndetësor dhe emigracioni prekin drejtpërdrejt familjen dhe biznesin tim.

Politika e jashtme ndaj Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit mbetet gjithashtu e rëndësishme. Megjithatë, nuk mjafton që një kandidat të bëjë një fotografi me flamurin shqiptar ose të thotë disa fjalë të bukura gjatë fushatës.

Pra, ne kete vazhde mendoj se secili votues ta shohe dhe ta “kaloje ne site” integritetin, kompetencën, historikun dhe angazhimet konkrete të kandidatit. Vota është shumë e rëndësishme për t’u dhënë vetëm mbi bazën e një slogani.

Çfarë duhet të kërkojë komuniteti shqiptar në këmbim të mbështetjes politike?

Nuk më pëlqen shumë shprehja “në këmbim”, sepse mund të tingëllojë sikur po kërkojmë favore personale. Komuniteti duhet të kërkojë respekt, përfaqësim dhe angazhime të qarta.

Qasja behet edhe me e domosdoshme pas zgjedhjeve, të kërkojmë që profesionistët e kualifikuar shqiptaro-amerikanë të konsiderohen për poste në administratë dhe borde, si dhe që nevojat e bizneseve dhe familjeve tona të dëgjohen.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, duhet të kërkojmë qëndrime të qarta, jo vetëm deklarata ceremoniale. Mbi të gjitha, marrëdhënia me një kandidat nuk përfundon ditën pas zgjedhjeve.

Pse kemi relativisht pak shqiptaro-amerikanë që kandidojnë për poste publike?

Kjo eshte nje pyetje qe nuk e ka nje shpjegim te thjeshte, dhe besoj se ka vetëm një arsye. Shumë shqiptarë janë përqendruar te biznesi, profesioni dhe familja. Politika kërkon kohë, financim, një rrjet mbështetës dhe gatishmëri për t’u përballur me kritikën publike.

Nga ana tjetër, komuniteti nuk ka krijuar ende një sistem për të identifikuar dhe përgatitur kandidatët. Shpesh presim që dikush të dalë vetë dhe pastaj vendosim nëse do ta mbështesim.

Eshte nje shprehje qe thote se politika eshte lokalel:Këshillat bashkiakë, komisionet dhe administrata, etj. Jo çdo njeri mund të synojë menjëherë Kongresin. Përfaqësimi politik ndërtohet hap pas hapi dhe merr kohe te gjate, edhe pse ka plot perjashtime te ketij “rregulli”.

Nëse do të zgjidhnit tri gjëra që komuniteti duhet të arrijë gjatë dhjetë viteve të ardhshme, cilat do të ishin?

E para do të ishte krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi midis organizatave shqiptare për çështjet që na bashkojnë. Nuk është e nevojshme që ato të humbasin pavarësinë e tyre.

E dyta do të ishte investimi te brezi i ri, jo vetëm përmes gjuhës dhe kulturës, por edhe përmes mentorimit, bursave dhe përfshirjes në drejtimin e organizatave.

E treta do të ishte rritja e përfaqësimit në jetën publike amerikane: në administratë, qytete, universitete, dhe poste të zgjedhura.

Nëse arrijmë këto tre gjëra, suksesi individual që kemi sot do të shndërrohet në forcë të qëndrueshme të komunitetit.

Si do të dëshironit të dukej komuniteti shqiptaro-amerikan në Michigan një brez nga sot?

Do të dëshiroja të shihja një komunitet krenar për origjinën e tij, por plotësisht të integruar dhe aktiv në jetën amerikane. Një komunitet ku të rinjtë e njohin historinë dhe kulturën shqiptare, edhe nëse lidhja e tyre me Shqipërinë është ndryshe nga ajo e prindërve.

Do të dëshiroja më shumë shqiptarë në drejtimin e institucioneve, universiteteve, bizneseve dhe administratës publike. Do të dëshiroja gjithashtu më shumë bashkëpunim dhe më pak energji të humbur në ndarje të vogla.

Mbi të gjitha, do të doja një komunitet që nuk bashkohet vetëm për festa ose në momente krizash, por që ka ndërtuar institucione të afta të punojnë çdo ditë për brezin që vjen.

 

Nëse do të kishit mundësi t’i thoshit një gjë komunitetit shqiptar të Michiganit që ndoshta nuk do t’i pëlqente ta dëgjonte, por që mendoni se duhet ta dëgjojë, cila do të ishte?

Ndoshta ajo që komuniteti shqiptar i Michiganit nuk ka shumë qejf ta dëgjojë është se, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që kemi arritur individualisht, ende nuk kemi arritur të jemi aq të fortë sa duhet si komunitet, dhe ende nuk mendojme thellesisht si banore te ketij komuniteti ku jetojme.

Vazhdojmë të ndahemi shumë lehtë sipas bindjeve politike, krahinave, origjinës apo konflikteve që shpesh i kemi sjellë me vete nga Shqipëria, Kosova apo trojet e tjera shqiptare. Ndonjëherë harxhojmë më shumë energji duke luftuar me njëri-tjetrin sesa duke ndërtuar institucione që do t’u shërbenin femijëve tanë.

Në Amerikë ndikimi nuk matet vetëm me numrin e shqiptarëve që jetojnë këtu as me fuqine dhe suksesin individual. Matet me sa të organizuar jemi, sa votojmë, sa njerëz kemi në institucione, sa mbështesim njëri-tjetrin dhe sa arrijmë të ndërtojmë ura me komunitetet e tjera.

Prandaj, ndoshta gjëja që duhet ta dëgjojmë është kjo: duhet të merremi pak më pak me politikën e Tiranës apo Prishtinës dhe pak më shumë me fuqinë që mund të ndërtojmë këtu, në Michigan.

Sepse në fund, trashëgimia jonë nuk do të matet vetëm me atë që kemi arritur secili për vete, por me atë që kemi lënë pas si komunitet.

Faleminderit!

Lini një koment