Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaIntervistaEdlira Sako: “Jam demokrate, por besnikëria ime është ndaj votuesve”

Edlira Sako: “Jam demokrate, por besnikëria ime është ndaj votuesve”

Intervistë me Edlira Sakon, kandidate për Senatin e Michiganit në Distriktin 24

Zonja Sako, pak ditë pas fitores në primare, çfarë mendoni se votuan njerëzit tek ju: programin, historinë personale apo pakënaqësinë me kundërshtarin?

Mendoj se ishte një kombinim, por mbi të gjitha njerëzit votuan për një person që e njohin dhe që i ka dëgjuar. Unë jam përpjekur të jem pjesëmarrëse në komunitet, kam punuar si mësuese dhe kam folur me familje për problemet që përballojnë çdo ditë.

Nuk u kërkova njerëzve të më votojnë vetëm sepse jam shqiptare apo sepse jam demokrate. U kërkova të më votojnë për atë që jam, për atë që kam bërë dhe për vizionin që kam për komunitetin.

Ju fituat primaret me një fushatë që, sipas jush, kishte burime të kufizuara financiare. Çfarë bëri diferencën?

Njerëzit. Ne nuk kishim buxhetet më të mëdha, por kishim njerëz që besonin në mesazhin tonë. Trokitëm në dyer, folëm me familje, morëm pjesë në aktivitete komunitare dhe dëgjuam.

Kjo më mësoi diçka shumë të rëndësishme: paratë mund të blejnë reklama, por nuk mund të blejnë besimin. Besimi ndërtohet duke u takuar me njerëzit, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke trokitur në çdo derë.

A prisnit ta fitonit garën me këtë rezultat, apo edhe për ju ishte një surprizë?

Do të jem e sinqertë: ishte emocionuese dhe në disa momente edhe surprizë. Kur filluan të vinin rezultatet, nuk isha e sigurt se si do të përfundonte.

Por unë nuk hyra në këtë garë për asgjë tjetër përveçse për të përcjellë zërin e njerëzve dhe për t’i përfaqësuar ata. Kur rezultati u bë i qartë, ndjeva mbi të gjitha mirënjohje.

Tani që primaret përfunduan, çfarë ndryshon në strategjinë tuaj për zgjedhjet e përgjithshme?

Tani duhet të zgjerojmë koalicionin. Primaret janë një garë brenda një partie. Zgjedhjet e përgjithshme janë për të gjithë komunitetin.

Do të flas me demokratë, republikanë dhe të pavarur. Nuk dua të kandidoj vetëm si “kandidatja demokrate”. Dua të jem kandidatja dhe zëri i Distriktit 24.

Distrikti 24 nuk votohet vetëm nga demokratët. Si do ta bindni një republikan ose një votues të pavarur që të votojë për Edlira Sakon?

Duke folur për gjëra konkrete, gjërat që na bashkojnë: koston e jetesës, rrugët, shkollat, sigurinë, bizneset lokale, familjet dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Një republikan mund të mos jetë dakord me mua për çdo çështje, dhe kjo është në rregull. Demokracia është përplasje idesh. Nuk kërkon që të mendojmë njësoj. Kërkon që të dimë të punojmë bashkë.

Në postimin tuaj ju thoni se disa njerëz nuk ju mbështesin thjesht sepse jeni demokrate. A është bërë përkatësia partiake më e rëndësishme se kandidati?

Fatkeqësisht, ndonjëherë po, ka paragjykime. Por unë dua ta ndryshoj këtë.

Para se të shohim shkronjën “D” ose “R” pranë emrit të kandidatit, duhet të pyesim: Kush është ky person? Çfarë ka bërë? A e njeh komunitetin? A do të na dëgjojë?

Unë dua të fitoj votën për karakterin, punën dhe vizionin tim.

Në cilat çështje nuk jeni dakord me Partinë Demokrate të Michiganit? A ka raste kur do të votonit kundër qëndrimit të partisë suaj?

Unë jam demokrate, por nuk jam pronë e partisë. Unë jam zgjedhur për të përfaqësuar njerëzit e Distriktit 24.

Duke qenë kandidate, do të jem e pranishme në town halls e takime të ndryshme me popullin, të dëgjoj zërin e tyre. Nëse një çështje prek drejtpërdrejt komunitetin tim dhe besoj se një politikë nuk është në interesin e tyre, unë do ta them këtë.

Për mua, besnikëria më e madhe është ndaj njerëzve që më zgjedhin mua për të qenë zëri i tyre në Lansing.

Një pjesë e shqiptaro-amerikanëve e shohin Partinë Demokrate si shumë të majtë. Çfarë u thoni atyre?

U them: mos gjykoni vetëm nga etiketa e partisë. Shikoni çfarë mbroj.

Unë flas për shkolla të mira, për mësuesit, rrugë të sigurta, zhvillimin e bizneseve të vogla, familje që mund të përballojnë jetën dhe një qeveri transparente.

Këto nuk janë ide që i përkasin vetëm një partie. Këto janë nevoja të komunitetit.

Ju vetë keni jetuar në Shqipërinë komuniste. Kur dëgjoni shqiptarë në Amerikë që i quajnë demokratët “komunistë”, si reagoni?

E kuptoj pse fjala “komunizëm” ka një peshë shumë të madhe për shqiptarët që e kanë përjetuar atë sistem. Unë e kam jetuar vetë, që në vitet e para të jetës.

Prandaj e di shumë mirë dallimin mes komunizmit shqiptar dhe demokracisë amerikane.

Të jesh demokrat në Shtetet e Bashkuara nuk do të thotë të mbështesësh komunizmin. Unë besoj në demokraci, në lirinë e fjalës, në zgjedhje të lira dhe në të drejtën e njerëzve për të ndërtuar jetën e tyre.

Dhe pikërisht sepse kam jetuar nën një sistem që nuk i garantonte këto liri, unë nuk e marr demokracinë amerikane si të mirëqenë.

Ku vendoset politikisht Edlira Sako: në të majtën progresiste, në qendër apo diku tjetër?

Unë do ta përshkruaja veten si një demokrate që fokusohet te njerëzit dhe te rezultatet.

Jam pragmatike. Kërkoj zgjidhje për çështje që prekin çdo njeri. Jam demokrate, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të dëgjoj dikë që nuk mendon si unë.

Për mua, politika nuk është të vendosësh një etiketë mbi veten. Është të zgjidhësh probleme.

A mendoni se shkollat publike janë futur tepër në debatet kulturore dhe politike?

Mendoj se shkollat duhet të qëndrojnë të fokusuara tek arsimi.

Si mësuese, dua që fëmijët të lexojnë mirë, të shkruajnë mirë, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të përgatiten për të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, duhet të mendojmë më shumë për stafin e shkollave dhe mësuesit që edukojnë brezat e së ardhmes — fëmijët që nesër do të jenë liderët tanë.

Prindërit duhet të kenë zë, mësuesit duhet të kenë mbështetje dhe fëmijët duhet të jenë në qendër.

Deri ku duhet të shkojë e drejta e prindit për të vendosur mbi çështjet që lidhen me fëmijën në shkollë?

Prindërit kanë një rol themelor në edukimin e fëmijëve të tyre. Unë besoj në komunikim të hapur mes prindërve, mësuesve dhe shkollave.

Por gjithashtu duhet të respektojmë ekspertizën e mësuesve dhe nevojën që çdo fëmijë të marrë një arsim cilësor.

Duhet të kemi partneritet mes prindërve dhe mësuesve.

Ju përmendët HB 5727 për lejet e punës së të miturve. Çfarë kundërshtoni konkretisht?

Unë besoj se të rinjtë duhet të kenë mundësi të punojnë dhe të mësojnë përgjegjësinë, por kjo duhet të bëhet me dakordësinë e prindërve kur ata janë 18 vjeç e poshtë, në mënyrë të sigurt dhe pa cenuar arsimin e tyre.

Nuk dua që presioni ekonomik mbi familjet të përkthehet në fëmijë që humbin shkollën ose punojnë në kushte që mund t’i dëmtojnë.

Mbrojtja e fëmijëve dhe edukimi duhet të jenë prioritet.

EKONOMIA

Çfarë mund të bëjë realisht një senatore e shtetit për të ulur koston e jetesës?

Nuk mund të premtoj se një senatore mund të kontrollojë çdo çmim në supermarket. Por mund të punojë për politika që ulin kostot që shteti mund të ndikojë: energjinë, transportin, childcare-in, taksat dhe shërbimet publike.

Mund të mbështesim familjet, bizneset e vogla dhe punëtorët dhe të sigurohemi që paratë publike të përdoren me përgjegjësi.

Ju përdorni sloganin “From Banks to Gas Tanks”. Çfarë do të thotë konkretisht për një familje në Macomb County?

Do të thotë se dua të flas për gjithë presionin financiar që një familje ndjen — nga pagesa e shtëpisë apo kredisë, blerja e konsumit të përditshëm e deri te benzina që duhet për të shkuar në punë, ushqimet, energjia dhe childcare-i.

Për shumë familje nuk është vetëm një faturë që është rritur. Janë të gjitha faturat bashkë.

Dhe politika duhet të merret me këtë realitet.

Cilat janë tri masa ekonomike që do të kërkonit në vitin tuaj të parë?

Së pari, lehtësim real për familjet që po përballen me koston e childcare-it dhe strehimit dhe shërbimeve shëndetësore, mendore dhe dentare.

Së dyti, mbështetje më të fortë për bizneset e vogla dhe punëtorët.

Së treti, politika që ndihmojnë në uljen e kostove të energjisë dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Dhe mbi të gjitha, dua të shoh ku po shkojnë paratë e taksapaguesve.

Çfarë mund të bëjë shteti për energjinë, sigurimet, ushqimet dhe banesat?

Jo çdo çmim kontrollohet nga Lansing, por Lansing mund të krijojë rregulla më të drejta, të nxisë konkurrencën, të investojë në infrastrukturë dhe të mbështesë familjet.

Gjithashtu duhet të jemi shumë më agresivë në transparencë. Njerëzit kanë të drejtë të dinë pse kostot po rriten dhe kush po përfiton.

Kush duhet ta paguajë zgjerimin e childcare-it të përballueshëm?

Nuk besoj se barra duhet të bjerë vetëm mbi familjet. Familjet, punëdhënësit dhe shteti kanë të gjithë një rol.

Childcare-i nuk është thjesht një çështje familjare; është një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës ekonomike.

Nëse prindi nuk mund të gjejë kujdes të përballueshëm për fëmijën, ai ose ajo shpesh nuk mund të punojë.

ARSIMI & ZHVILLIMI

Problemi kryesor i shkollave të Michiganit është mungesa e parave apo mënyra si shpenzohen?

Është të dyja. Shkollat kanë nevojë për financim të qëndrueshëm, por duhet të ketë edhe përgjegjësi për mënyrën se si përdoren fondet.

Si mësuese, e di se paratë duhet të arrijnë në klasë: te mësuesit, librat, teknologjia, programet akademike dhe mbështetja që u duhet fëmijëve.

Jeni kundër data centers apo kundër mënyrës se si merren vendimet?

Nuk jam kundër teknologjisë dhe as kundër vendeve të punës. Jam kundër zhvillimit pa planifikim, projekteve që janë të rrezikshme për ambientin dhe njerëzit.

Nëse një projekt përdor sasi të mëdha energjie, uji dhe toke, komuniteti duhet të dijë çfarë do të marrë dhe çfarë do të japë në këmbim. Komuniteti po i kundërshton Data Centers në verilindje të Macomb County, ku ndodhet edhe distrikti ku unë kandidoj.

Vendimet duhet të jenë transparente dhe komuniteti duhet të dëgjohet.

Ku duhet vendosur balanca mes zhvillimit ekonomik dhe interesit të komunitetit?

Zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm, por nuk duhet të jetë “çdo gjë me çdo kusht”.

Nëse një projekt sjell vende pune, por dëmton burimet ujore, rrit kostot për banorët ose shkatërron tokë bujqësore të vlefshme, duhet ta analizojmë shumë seriozisht.

Unë dua zhvillim që komuniteti mund ta përballojë dhe ta mbështesë.

Cili është problemi konkret me transparencën në projektet e zhvillimit dhe rrugëve në Macomb Township?

Problemi është kur njerëzit ndihen sikur vendimet janë marrë përpara se ata të kenë mundësinë të dëgjohen.

Qeveria lokale duhet të jetë transparente për kontratat, kostot, ndikimin dhe përfitimet.

Unë dua që banorët të mos e marrin vesh një projekt pasi makineritë kanë mbërritur. Ky është një problem për Distriktin 24.

Si do të votonit kur një projekt krijon vende pune, por banorët janë kundër?

Do t’i dëgjoja të dyja palët. Vendet e punës janë të rëndësishme, por vota ime nuk do të bazohej vetëm te numri i vendeve të punës.

Do të shikoja ndikimin në trafik, ujë, energji, tokë, taksa, mjedis dhe cilësinë e jetës.

Në fund, duhet të pyesim: A është ky zhvillim i mirë edhe pas 10, 20 apo 30 vitesh?

IDENTITETI SHQIPTARO-AMERIKAN

Sa pjesë e kandidaturës suaj është identiteti shqiptaro-amerikan dhe ku mbaron ai?

Identiteti im është një pjesë e imja, e historisë sime, por nuk është e gjithë kandidatura ime. Kur fitova primaret, fitova votat e banorëve të distriktit, besimin e tyre, dhe kjo nuk është e lehtë.

Jam krenare që jam shqiptare, por jam gjithashtu mësuese, bashkëshorte, nënë, qytetare dhe kandidate për të përfaqësuar të gjithë Distriktin 24.

Përvoja ime si emigrante më ka mësuar të mos e marr demokracinë si të mirëqenë, por të punoj fort. Në momentin që unë vendosa të kandidoj, synimi ishte të përfaqësoja çdo familje në këtë distrikt, përfshirë bashkëkombësit e mi.

Ju keni thënë: “Nuk kërkoj mbështetje vetëm sepse jam shqiptare.” Pse duhet një shqiptaro-amerikan t’ju votojë?

Do t’i përmblidhja në tre arsye.

E para, sepse kam një histori pune dhe shërbimi në komunitet.

E dyta, sepse e kuptoj nga afër sakrificën e emigrantëve dhe rëndësinë e mundësisë amerikane.

E treta, sepse nuk dua vetëm të jem zëri i shqiptarëve; dua të jem një zë i fortë i tyre brenda një komuniteti më të madh.

Dhe dua që shqiptarët të më votojnë jo vetëm sepse jam shqiptare, por sepse besojnë se do t’i përfaqësoj mirë.

A është komuniteti shqiptar në Michigan politikisht mjaftueshëm i organizuar?

Kemi shumë potencial, por mund të bëjmë më shumë.

Komuniteti shqiptar është punëtor, familjar dhe shumë i lidhur me njëri-tjetrin. Tani duhet ta kthejmë këtë energji në pjesëmarrje qytetare: votim, organizim, pjesëmarrje në mbledhje publike dhe komunikim me përfaqësuesit.

Nuk duhet të votojmë vetëm mbi emocionin ose origjinën. Duhet të pyesim: kush po punon për familjen time dhe komunitetin tim?

Nëse zgjidheni, si do të shmangni rrezikun që të bëheni thjesht një votë më shumë për demokratët në Lansing?

Duke mbajtur të njëjtën marrëdhënie me komunitetin që kam sot.

Unë dua të dëgjoj njerëzit edhe pasi të zgjidhem, jo vetëm para zgjedhjeve. Mund të jem pjesë e një grupi parlamentar, por vota ime duhet të ketë një arsye.

Unë nuk do të shkoj në Lansing për të qenë numër. Do të shkoj për të përfaqësuar Distriktin 24.

Në fund të mandatit tuaj të parë, cilat tri gjëra konkrete duhet të kenë ndryshuar në Distriktin 24 që ju të mund t’u thoni votuesve: “Për këtë ia vlejti të më zgjidhnit”?

Do të doja të shihja tre gjëra.

E para: familje që e përballojnë më mirë jetën. Dua të kemi bërë përparim në childcare, arsim, energji, infrastrukturë dhe mbështetje për bizneset e vogla.

E dyta: shkolla më të forta. Dua që mësuesit të kenë më shumë mbështetje dhe çdo fëmijë të ketë mundësinë të marrë arsimin që meriton.

E treta: një qeveri që dëgjon dhe është transparente. Dua që njerëzit të dinë ku shkojnë paratë e tyre dhe të kenë zë kur merren vendime që ndikojnë komunitetin e tyre.

Lini një koment