Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaPas aktgjykimit në Hagë, Hoti kërkon mbledhje urgjente të Kuvendit dhe nxjerrje të një rezolute

Pas aktgjykimit në Hagë, Hoti kërkon mbledhje urgjente të Kuvendit dhe nxjerrje të një rezolute

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të debatuar rreth aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një reagim të publikuar të hënën, Hoti ka thënë se, pavarësisht protestave që po zhvillohen në Prishtinë pas aktgjykimit, Kuvendi ende nuk është mbledhur për të shprehur qëndrimin institucional të institucioneve të Kosovës.

“Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, ka shkruar Hoti.

Ai ka propozuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit të çështjes në shkallën e dytë.

Sipas Hotit, institucionet duhet të bëjnë të qartë se lufta e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës për liri nuk duhet të kriminalizohet.

“Para se gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, ka deklaruar ai.

Hoti ka kërkuar gjithashtu nga Qeveria që të angazhohet diplomatikisht me aleatët ndërkombëtarë që kanë mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Qeveria duhet të bëjë mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë”, ka shkruar Hoti.

Duke iu referuar protestave në Prishtinë, Hoti ka thënë se qytetarët po shprehin qëndrimin e tyre dhe se institucionet duhet të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre.

“Populli i Kosovës nuk është duke heshtur. Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS”, ka thënë ai.

Në fund, Hoti ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të kërkojë veprim nga Qeveria.

“Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht dhe të obligojë Qeverinë të veprojë. Shteti i Kosovës duhet të flasë qartë dhe me një zë në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të interesit shtetëror të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë”, ka përfunduar Hoti. /Telegrafi/

Lini një koment