Abdixhiku përkujton Ahmet Krasniqin: LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, ish-ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në 28-vjetorin e vrasjes së tij në Tiranë.
Abdixhiku ka bërë homazhe te varri i Krasniqit në varrezat e Velanisë, së bashku me familjarë, bashkëveprimtarë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku e ka përshkruar Krasniqin si ushtarak karriere, strateg dhe atdhetar, duke theksuar rolin e tij në organizimin e mbrojtjes së Kosovës.
“Kolonel Ahmet Krasniqi, Ministri i Luftës që për komandant suprem njihte Presidentin Ibrahim Rugova, u vra 28 vite më parë, në Tiranë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se vrasja e Krasniqit ishte një goditje për përpjekjet për liri të Kosovës.
“Vrasja e tij ishte goditje ndaj vetë përpjekjes sonë për liri. E sot, 28 vite më pas, mungesa e drejtësisë rëndon mbi shtetin që ai nuk arriti ta shihte të lirë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka përsëritur zotimin e partisë për zbardhjen e rastit.
“LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij dhe të të gjitha vrasjeve politike”, ka thënë ai.
“Ky zotim nuk skadon dhe këtë përgjegjësi do ta bartim brez pas brezi. Deri në të vërtetën. Deri në drejtësi”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/